Mbretëria e pleshtit

Paragrafin e parë të shkrimit “Faqemender pleshti”, të botuar në shtatorin e vitit 1933, Nonda Bulka e nisi kështu: Sikur të ishte e mundur që pleshti të fjalosej, do të thoshte: Jam një nga kafshët shtëpiake më të lumtura të botës. Fle i qetë në shtretërit më luksozë të zotërinjve. Jam i vetmi që dëgjoj sekretet e pabotueshme të kafshëve të logjikshme. Ha e pi nga mishi e gjaku më i zgjedhur i njeriut. Kur më ndjekin që të më zënë, futem nën velenxë ose nën krevat, dhe aty s’ka ç’më bën as pushka as mitralozi.
Shkrimin e N. Bulkës e kam lexuar herët dhe, me sa më kujtohet, ai u bë sebepi i kolumnës së mëposhtme, të cilën nuk arrita ta botoj para tridhjetë vitesh, ndoshta për shkak të pleshtave të vendosur në qendrën e saj.

*
Nuk e di përse, pas barikadave të mëdha, vazhdimisht më shfaqet pleshti meskin që aktron titanin, por që s’mund të gjallojë pa cipën mbroj­tëse që ia ofron punëdhënësi. I strukur në brekushet e tjetrit, ai thur rrjetën, ku ngatërrohen të painformuarit dhe qeniet e katandisura për gjynah.
Njerëzit e kësaj kabile përbëjnë shumicën e statistikës së etnive të mbetura zullu. Ata i ke kudo, po më së shpeshti i gjenë në palestrat e koncerteve të dreqit, ku përgatisin intriga dhe prapaskena turlifare.
Të tillët nuk i kanë punët mirë në familje dhe nuk gëzojnë respektin e mëhallës. Ata nuk i kupton rrethi i ngushtë, ndaj dalin n’allaje më të gjera ku nuk jepet llogari për shpiarllëkun dhe profesionalizmin në punë. Ata gjakojnë kompensimin e fukarallëkut shpirtëror, duke u kapur për vlerash të përgjithshme dhe duke tentuar, në sajë të gjimnastikës së llafeve, ta fitojnë të drejtën e manipulimit të katundit të madh. Ata e thonë përherë të kundërtën e asaj që bëjnë, janë sedërli dhe hidhërohen pa masë nëse dikush merr guximin t’ua cullakosë xhambazllëkun. Ata janë atdhetarë të rremë që mbijnë nga vetvetja, me dëshirën dhe fjalën e Iblisit. Ata kanë aftësinë e rigjenerimit nga çdo ekstremitet i trupit, njësoj si skrajat. Ata janë pjellë e nënsjetullave të Luciferrit dhe të turmës pa tru. Kur u jepet rasti të bëhen politikanë në sinore çudirash, bëhen dhe zanatlinj të mirë dhe specialistë të zahires së kopesë, të cilës i ofrojnë vetëm atë që ia rrëshqet midja më kollaj. Janë dhe nishanxhinj të pagabueshëm, si heronjtë e veprës së Andrej Voronjinit me titullin sugjestiv: Qorrat gjuajnë pa gabime. Po bëre u nise pas tyre, me besim prej viçi, mund të të sjellin verdallë nëpër kotësitë e botës. Ata heshtin dhe nuk pipëtijnë sa herë që bën pisk. Në kohëra të liga vetë i fusin këmbët në një çizme, po këtë e bëjnë me arsyetime patriotike. Zukatja e tyre, britmat patetike, zjarret dhe vreret atdhetare shpërthejnë post festum, kur kalon rrëmeti. Dhe çuditërisht u ec kungulli mbi ujë, veçmas kur këto marifete i ushtrojnë në plantazhe kungujsh, pjeprash e klounësh të papërmirësueshëm. Ata zgjohen pas breshërit. Ata i trimëron gjallëria e pazarit të llafeve të mëdha, që shiten 24 orë në ditë tezgave ngjyrë sarillëku. Ata kanë pranë vetes korin e krijuesve çafka – buklat e artit naiv, që me plehun e letërsisë minore lartësojnë përmendoret e marrisë.  Kur ndodh të akomodohen majë Olimpit kërkojnë dëgjueshmëri absolute, kërkojnë që njerëzve t’u prijë, jo truri po palca kurrizore; kërkojnë qenie të manipulueshme; kërkojnë sende… Insistojnë me domosdo instalimin e trurit monolit, instalimin e diktaturës.
Nga të gjitha pamjet që mund të ketë njeriu preferojnë vetëm njërën: atë të majmunit. Prej  katandisjeve më së shumti pëlqejnë përuljen. Ata e dinë se njeriu nuk mundet pa Zotin e tij, sepse s’ka si e dëshmon ekzistencën e vet. Shoqëria që s’është në gjendje të krijojë zota të ri vdes, thotë Bergjaevi. Vetëm të urtit e gjejnë atë brenda vetes, duke humbur kësisoj besimin dhe simpatinë e Budës.
Privilegji është ideali i vetëm i sortes së tyre që plaket vetëm nga epërsia e pleshtave konkurentë, të cilët, presin t’i lakuriqësojë për ta Prometeu, i cili, natyrisht, s’e rrezikon më mëlçinë për gurë varresh.
Pleshtat janë nasradinë ordinerë. Atyre, hiq pa i kruajtur mund t’ua njohish surratin e vërtetë. Mu për këtë nuk durojnë t’u preket pudra. Kureshtarët që duan tëstudiojnë hollësitë e artit të makiazheve të tyre, mund t’i shkelë traktori, apo edhe më zi: mund të mbeten pa varr, si Skënderbeu, Bogdani, Fishta…, sepse filozofia jetësore e pseudopatriotëve ka në qendër thënien e Avrelij Avgustinit: Të mundurit kurseji, krenarët zhbëji!
Titanët e rremë, si çdo gërdi tjetër, janë stemë e gjithkohshme. Ata nuk mposhten kollaj, sepse janë larë në ujërat e nëntokës. Ata janë dhe do të mbeten mikrobë prapa­skenash të epokave zgjebarake. Mjeti i vetëm që i bën të parrezikshëm është mungesa e kritikës së opinionit publik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.