Prizma: Toshkovski i përfshirë në një projekt për garazh në kate për të cilin qeveria dëshiron të paguajë dëmshpërblim

Ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, jo vetëm që ka raporte të ngushta me kompaninë “Ango”, e cila ishte përgjegjëse për ndërtimin e garazhit të diskutueshëm pranë Kuvendit, por ai ka qenë edhe anëtar i komisionit të Ministrisë së Transportit që e ka realizuar ankandin publik në përpjekjen e parë për të gjetur investitor për projektin në vitin 2009, zbulon Prizma në storjen e tyre voluminoze investigative, transmeton Portalb.mk.

“Ka mundësi të kem qenë në komision, nuk e di, nëse keni dokumente që e dëshmojnë këtë – atëherë do kem qenë”, ka thënë Toshkovski për BIRN.

Bëhet fjalë për ndërtimin e një garazhi në kate në hapësirën mes Kuvendit, Shtëpisë së Armatës së Maqedonisë  dhe Gjykatës Administrative. Në formën e tanishme, si garazh mbi tokë, projekti është miratuar në vitin 2013. Nga ajo kohë pjesëtarët e Kuvendit kanë folur vazhdimisht për rreziqet e sigurisë nga ndërtimi i një objekti të tillë kaq afër objektit të Kuvendit.

Për projektin për herë të parë është kërkuar një investitor në vitin 2009, por për një garazh nëntokësor. Ministria e Brendshme atëkohë ka vlerësuar se projekti është i sigurt. Në vitin 2012 investitori “Makoill” ka hequr dorë nga toka.

Në vitin 2013 si investitor zgjidhet kompania “Ango”, por këtë herë ata e blejnë tokën prej 2.500 metrash katrorë për ndërtimin e një garazhi mbi tokë. Krahas kësaj, sipas hulumtimit të Prizma-s, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e ka shitur tokën pa bërë një vlerësim të sigurisë.

Pas kësaj vijojnë vite të mosrealizimit të punimeve për objektin. Fillimisht, nga “Ango” thonë se nuk mund të punojnë në këtë projekt për shkak të tubave të ngrohjes qendrore nën objekt, e për këtë arsye do të presin deri sa të përfundojë sezoni i ngrohjes. Disa vite dhe sezone të ngrohjes më pas punimet për garazhin ende nuk kanë filluar.

Në vitin 2018 Komuna Qendër ia mori lejen e ndërtimit kompanisë “Ango”, me pretendimin se kompania nuk kishte respektuar afatin për fillimin e ndërtimit.

Nga viti 2018 deri në vitin 2021 komuna dhe “Ango” zhvillojnë dy beteja gjyqësore për heqjen e lejes pranë Gjykatës Administrative, të cilat kompania i fiton në favor të saj, e përfaqësuar nga avokati Pançe Toshkovski”, zbulon Prizma.

“A janë familja ime e ngushtë? Unë them – po! A i kam përfaqësuar? Po! A i kam përfaqësuar edhe për lëndë të tjera, përveç kësaj lënde? Po! Dhe për këtë, si ministër kam hequr dorë nga ky rast”, thotë Toshkovski për Prizma për raportin e tij me kompaninë “Ango”.

Këtë verë, vetëm disa javë para se të përfundonte afati ligjor prej dhjetë vitesh për përfundimin e ndërtimeve, kjo kompani e rrethoi parcelën dhe më në fund filloi me punime. Por kryeministri Hristijan Mickoski i ndërpreu menjëherë punimet duke thënë se kompania duhet të dëmshpërblehet.

“Pavarësisht se dikush tjetër është sjellë në mënyrë të papjekur, ne duhet ta zgjidhim problemin, ta dëmshpërblejmë investitorin, ndërsa toka t’i kthehet shtetit dhe objekti të mos ndërtohet”, tha kryeministri javën që shkoi.

Dhjetë vite më parë kompania “Ango” e ka blerë tokën për rreth 330.000 euro, ndërsa siç raporton Prizma sot kjo tokë padyshim që do të ketë një çmim më të lartë.

Në Maqedoninë e Veriut është gati se e zakonshme që zyrtarë shtetëror të kenë dorë në kompani të caktuara që fitojnë tenderë shtetëror. Megjithatë, është e paqartë se kush është pronari i vërtetë i këtyre kompanive. A bëhet fjalë për një firmë që me të vërtetë i përmbush kriteret dhe është më e përshtatshme për kryerjen e detyrës së kërkuar, apo tenderi është fituar vetëm për shkak të marrëdhënieve të ngushta politike apo të biznesit mes qeverisë dhe pronarit real? Me këtë rast, publiku i Maqedonisë shpesh ballafaqohet me shembuj të tillë, dhe një nga shembujt më flagrant është kompania misterioze Exico, e cila në vitin 2013 ishte në top 20 në listën e 200 kompanive më të suksesshme në Maqedonisë, dhe deri më sot nuk dihet se kush qëndron në të vërtetë pas asaj kompanie.