Mbi rebelizmin e Adem Demaçit

Të shtypur gjithanshëm në aspektin e të drejtave qytetare dhe etnike, të ndarë nga rrjedha e zhvillimeve normale kulturore, të mbetur nën kthetrat e hijenave rankoviqiste, për të cilët Konica thoshte se: nuk duan t’na mundin, po t’na zhbëjnë, një plejadë shkrimtarësh nga Kosova mezi gëzoi kushtet minimale për t’iu përkushtuar krijimtarisë letrare. Megjithatë, të gjithë në mënyrat e tyre i kontribuan ruajtjes së shpirtit të etnisë së ndarë dhe të rrezikuar gjithanshëm.

Janë të shumtë krijuesit nga Kosova, të cilët trajtuan me guxim dhunën e tjetrit. Në veprat e tyre ka elemente të disidencës letrare apo të heshtur, që nga disa sharlatanë relativizohen pa të drejtë. Nuk mungojnë as ata që shpërfillin disidencën politike dhe letrare të Adem Demaçit, përfaqësuesit të një rebelizmi të manifestuar njëkohësisht:

– nga pozita e krijuesit kryengritës dhe heretik,
– nga pozita e intelektualit me guxim të paluhatshëm qytetar,
– nga pozita e atdhetarit dhe tribunit popullor me kurajë prej Prometeu dhe
– nga pozita e njeriut mendjehapur që e pikasi herët kalbësinë e sistemit gjoja liberal…

Në ishte apo jo Adem Demaçi disident, dëshmojnë shkrimet e shumta të autorëve shqiptarë dhe të huaj, si publicistja serbe Petra Zhiviq, e cila, në shkrimin:Shuarja e Nelson Mandelës së Ballkanit thotë: “Politikani Kosovar Adem Demaçi, disidenti i cili kaloi gati tri dekada të plota në burgje, qe simboli i luftës kundër diskriminimit të Shqiptarëve të Kosovës, edhe gjatë regjimit socialist të Titos, edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Jo rastësisht janë të shumtë ata që e konsiderojnë ‘baba’ të Kosovës së pavarur…  Adem Demaçi luftoi për të drejtat e Shqiptarëve. Ai në moshën 22 vjeçare botoi librin Gjarpinjtë e gjakut’, ku përveç dokumentimit të zakoneve të gjakmarrjes në Kosovë dhe Shqipëri, kritikoi edhe qëndrimin e Jugosllavisë ndaj shqiptarëve etnikë në Kosovë. U arrestua sepse, sipas mendimit të pushtetit, ky akt minoi bashkim-vëllazërimin.
Në kohën kur Demaçi sfidoi estetikën bolshevike me rebelizmin atipik, ishin të shumtë ata që frikoheshin t’ia përmendin emrin dhe romanin e anatemuar Gjarpinjtë e gjakut, i cili u hoq nga raftet e bibliotekave dhe librarive për aq kohë sa u dergj burgjeve autori. Megjithatë, edhe përkundër diabolizimit gati gjysëmshekullor të personalitetit të tij, ai u bë heroi dhe autoriteti i një kulture, vepra e të cilit rrugëtoi tinëzisht nëpër duar lexuesish dhe, si një vijë e hollë uji, gërreu pandalshëm sajesën jugosllave.

Kështu, disidenca e përsëritur politike dhe revolta e shprehur në librin e zhveshur nga dykuptimësitë, u bënë mjete lufte kundër vëllavrasjes dhe dhunës së egër të regjimit antishqiptar, armë të betejës vetëflijuese të shkrimtarit kryengritës, me rrugë qartësisht të përcaktuara nga atdhedashuria e mbjellur nga rrëfimet e Nënës, nga ligjëratat e profesorëve largpamës, nga shoqërimi me korifejë letërsie si Danillo Kishi, nga bëmat heroike të Shaban Polluzhës, nga krimet e llahtarshme të partizanëve jugosllavë, nga bashkim-vellazërimi i shpifur, nga truket e pushtetarëve serbë dhe mashave të tyre shqipfolëse që tentonion t’ia zbusin dënimin me burg për t’i dhënë dënim të përjetshëm nga populli, nga lotët e mësueses e cila nuk mund t’i përgjigjej pyetjes së tij: përse shqipja nuk ishte gjuhë zyrtare në Kosovë?, nga skenat gjenocidiste të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, nga krimet e pandalshme të persekutorëve, nga ndjekjet e hafijeve të komunizmit, nga propagandat serbe kundër gjuhës dhe letërsisë shqipe, që në Kosovë duhej të niste nga e para…

Me një fjalë: Adem Demaçi është shkrimtari i parë nga Kosova, që shkroi e foli shtruar për Shqipërinë shtet evropian me kufijtë e natyrshëm. Ai nuk e fshehu kurrë aspiratën rilindëse dhe dëshirën e kombit për të jetuar i lirë në sinoret stërgjyshore, ndaj e la të hapur mundësinë e rishqyrtimit të padrejtësive të fuqive të mëdha…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.