Serbia mbetet jashtë BE-së pavarësisht mbështetjes së Francës

Përpjekjet e Komisionit  Evropian (KE) për të shtyrë përpara aplikimin e Serbisë për të hapur një kapitull tjetër kanë ngecur duke mos marrë mbështetjen e nevojshme.

E veçanta e kësaj lëvizje është se Franca, si aleate dhe partnere tregtare e Serbisë, e ka propozuar këtë ide, por Parlamenti Evropian (PE) ka bërë një rrugë tjetër.

Tetë shtete të BE-së ishin kundër propozimit të Komisionit Evropian e cila u mbështet nga Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos e cila tha se Serbia ka bërë hapa pozitiv dhe Beogradi duhet të hapë Kapitullin e 3-të.

“Zgjerimi i BE-së është një përgjigje strategjike ndaj sfidave gjeopolitike të sotme. Rruga e Serbisë drejt BE-së bazohet në meritë dhe varet nga reforma të vërteta duke u nisur nga forcimi i sundimit të ligjit, demokracisë, lirisë së medias, të drejtave themelore, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Këto nuk janë vetëm kritere pranimi. Ato janë reforma që do ta forcojnë Serbinë dhe do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të saj,” thuhet në një postim në X nga grupi i Partive Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian.
Përparimi drejt anëtarësimit në BE përfshin jo vetëm miratimin e reformave, por edhe zbatimin e tyre tërësisht dhe plotësisht, sqaruan deputetët evropianë në një raport mbi Serbinë të miratuar të mërkurën nga Parlamenti Evropian me shumicë prej 468 votash.

“Ekziston një hendek i vazhdueshëm midis përafrimit legjislativ të Serbisë me rregullat e BE-së dhe zbatimit aktual të reformave që vazhdon të minojë progresin e vendit”, sqaron raporti.

Deputetët evropianë gjithashtu kanë theksuar se rruga e secilit shtet drejt integrimit në BE duhet të vlerësohet sipas meritave të veta.

“Asnjë shtet nuk duhet të lidhet me një tjetër ose të trajtohet si pjesë e një pakete”, nënvizohet në njoftimin e fundit të Parlamentit Evropian.

Një shtyreje panevojshme e agjendave për hyrje të shpejtë dhe të pamerituar të shteteve në BE mund të sjellë telashe të reja për unionin, ashtu siç i kemi vërejtur me vite të tëra mosmarrëveshjet e pengesat nga Hungaria nën qeverisjen e atëhershme të Viktor Orbanit.

Në këtë linjë ish ambasadorja e Polonisë në Këshillin e Evropës, Urszula Gacek në një deklaratë tha se Serbia në BE do të ishte një lojë krejtësisht e ndryshme nga ajo e Orbanit.

Sipas ish diplomates, kjo nuk do të ishte lobim për Rusinë, por do të ishte që Rusia të kishte një vend në tryezë.
Ndërkohë, kohë më parë në një konferencë  parlamentare të shteteve kandidate për në BE të organizuar në Beograd, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk duhet pritur mrekulli në aspektin e zgjerimit të BE-së gjatë viteve të ardhshme.

Nuk vonoi kur me deklaratë u paraqit edhe Nemanja Staroviç, ministri i Serbisë për integrimin në BE i cili tha se hapja e Grupit të 3-të të Kapitujve të BE-së është vonuar shumë.

Nëse do të bëhej hapja e Grupit të 3-të, ky proces do të përafronte rregullat e Serbisë me shërbimet ndërkufitare me tregun e vetëm të BE-së.

Kapitulli i 3-të përfshin gjithashtu njohjen e diplomave profesionale etj.

Marko Gjuriq, ministri i Jashtëm i Serbisë tha për gazetën Politico se Serbia mbetet e përkushtuar për të ndjekur reforma të mëtejshme.

“Në rastin e Serbisë, zgjerimi është padyshim i dobishëm për të dyja palët, është një akt largpamësie strategjike. Mjafton të hedhim një vështrim në hartë.”

“Kohët e fundit, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm legjislativë dhe institucionalë për të forcuar sundimin e ligjit, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt rekomandimeve të Komisionit Evropian”, tha ministri Gjuriq.

Pavarësisht deklaratëve të zyrtarëve serbë, tetë shtete evropiane që ishin kundër thanë se do të vazhdojë të kundërshtojë ofrimin e mundësive të reja të zgjerimit për Serbinë në drejtimin e saj aktuale.

Zyrtarë të lartë të shteteve kundërshtare të Serbisë thanë se hapja e një kapitull të ri me Beogradin nuk ka gjasa të ecë përpara së shpejti.

“Avancimi i ofertës së anëtarësimit të një shteti që mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë do të dërgonte mesazhin e gabuar.”

Në fund, raportuesi special për Serbinë, kroati Tonino Picula tha: “Raporti im arrin në përfundimin se procesi i pranimit të Serbisë në BE ka ngecur në mënyrë efektive, për shkak të prapambetjes demokratike, dobësimit të sundimit të ligjit, dështimit për të zbatuar reformat kyçe dhe mungesës së përputhshmërisë me politikën e jashtme të BE-së.

Pavarësisht riafirmimit të vazhdueshëm të angazhimit të saj strategjik, lidershipi politik i Serbisë deri më tani ka demonstruar vullnet të kufizuar politik për të ndërmarrë reforma ose për t’u përputhur me vlerat dhe politikat e kërkuara për pranim.”

Serbia përveç ngecjeve të brendshme demokratike, vazhdon të mbajë të nxehtë temën e kthimit ushtarak e administrativ në Kosovë, duke promovuar raporte të këqija ndërfqinjësore.

Beogradi do të vazhdojë të luajë në këtë temë edhe në vitet që vijnë pavarësisht hapjes apo jo të ndonjë kapitulli të ri me BE-në.

Duhet thënë se Serbia ka një GDP më të madhe se shtetet e rajonit, fuqi ushtarake, dhe më shumë kapacitete për të zhvilluar tregti me botën duke lënë kështu hapësirë për manovrime dhe pritje.

Serbia vazhdon bashkëpunimin me Rusinë, Kinën, me shtetet e Lindjes së Mesme me një qasje të zgjuar strategjike.
Pra Beogradi zyrtarë vepron strategjikisht. Në këtë linjë ishte edhe presidenti kroat Zoran Milanoviç i cili gjatë një deklarate për mediat tha se politikanët serbë po veprojnë strategjikisht.

Presidenti Milanoviç tha po ashtu se kishte ngritur këtë problem gjatë Samitit të NATO-s në Turqi.

“Ngrita çështjen e përforcimit ushtarak të Serbisë gjatë Samitit të NATO-s. Serbia po sillet çuditshëm. Pyetja është, cili është qëllimi i gjithë kësaj?”.

Pavarësisht shqetësimeve, Serbia vazhdon për disa shtete evropiane të mbetet aleate e mike e për disa të tjerë rrezik për unionin dhe Ballkanin Perëndimorë. Serbia është shtete kandidat për në BE që nga viti 2012.  Serbia nga 35 kapitujt e anëtarësimit me BE-në ka hapur gjithsej 22 duke ngecur në pjesët më të rëndësishme, por pa shumë shqetësime për Beogradin zyrtarë. BE-ja ka ndarë mjete të shumta financiare për Serbinë në disa faza dhe fusha.

Ministria e Integrimit Evropian të Serbisë raporton se që nga viti 2000, BE-ja ka siguruar, nëpërmjet instrumenteve dhe fondeve të ndryshme, më shumë se 7 miliardë euro në grante për Serbinë me qëllim mbështetjen e reformave.
Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor shkon deri në 6 miliardë euro. BE-ja së fundi nëpërmes një projekti franko-gjerman ka propozuar një integrim gradual.

Mirëpo duket se shtetet e mbetura të rajonit janë më shumë të interesuar për paratë e taksapaguesëve evropianë se sa për reformat dhe integrimin në BE.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.