Demokracia deliberative (II)

Për jetësimin e demokracisë deliberative, që del kundër pragmës politike elitiste, me rëndësi ka qenë lëvizja e forumeve, hapja e Sallës së Qytetit (Town Hall), e departamenteve të të folurit (speech departments) nëpër universitete si dhe projektet për edukim qytetar të të rriturve. Shembuj të demokracisë deliberative kemi te rasti i Porto Alegres, Brazil, gjegjësisht te buxhetimi me pjesëmarrje (participatory budgeting): nga viti 1989 ky qytet ua kaloi pushtetin e kontrollit të financave drejtpërdrejt qytetarëve, me qëllim luftimin e korrupsionit dhe keqmenaxhimit. “G1000”, me gjenezë nga Belgjika, është një platformë pjesëmarrëse nga poshtë-lart (grassroot). Përmes saj, 1,000 qytetarë të përzgjedhur rastësisht diskutojnë çështje të interesit publik — si ndryshimet klimatike apo ligjet e punës — duke anashkaluar partitë tradicionale.

Deliberimi zhvillohet në tryeza të vogla, ku hartohen propozime të përbashkëta që u përcillen direkt organeve legjislative. Shembull tjetër reprezentativ janë Asambletë Qytetare (modeli irlandez) i viteve 2010, kur Irlanda krijoi një asamble me 99 qytetarë të përzgjedhur rastësisht, të cilët analizuan me ekspertë çështje thellësisht polarizuese si aborti dhe të ngjashme. Si rezultat i këtij deliberimi, asambleja rekomandoi ndryshime kushtetuese që u votuan me sukses në referendum, pasi publiku pati besim te vendimet e shqyrtuara nga vetë qytetarët.

Në kontekstin ballkanik nuanca të kësaj demokracie kemi te asambletë qytetare në Mostar dhe Beograd, te buxhetimi me pjesëmarrje në komunën Qendër (Shkup) e Gostivar dhe këshillimet kombëtare në Shqipëri, me shënimin se këndej, pra në Ballkan, qeveritarët u japin instancave të tillë kuptim konsultativ/opsional, se lojaliteti i ashpër politik nuk lejon  zgjedhje të qytetarëve të pavarur, neutralë, se emanacionet e demokracisë deliberative janë të varura nga entitete të jashtme si BE, Këshilli i Europës, ambasadat e ndryshme etj.

Do shënuar se shqiptarët arkaikë kanë pasur një kulturë të jashtëzakonshme të dialogut dhe ndërtimit të konsensusit përmes Kuvendit dhe Pleqnisë, duke zëvendësuar forcën e dhunës me forcën e fjalës.

Modeli deliberativ interesohet më shumë për diskutimin rreth një teme sesa për marrjen e një vendimi për të, ndërsa referendumi shpesh shpallet vetëm për të marrë një vendim përfundimtar mbi një çështje të përcaktuar saktë. Sipas Lawrence LeDuc  (2015) në modelin deliberativ (konsultativ), qytetarët janë të përfshirë në të gjitha etapat e procesit politik, ndërsa në rastin e referendumit është tipike që ata të ftohen vetëm në fund, për të dalë në votim. Kjo formë e demokracisë dallon nga demokracia liberale e cila mund të shpie në populizëm dhe tirani të shumicës, sepse synon konsensusin e arsyeshëm mbi të mirën publike, duke shmangur konfliktet përmes bindjes racionale, kalimin nga qytetari pasiv te ai aktiv. Për të arritur nivelin e kësaj demokracie duhet të mësojmë dëgjimin aktiv, dëgjimin për të mësuar jo për të bërë replikë, duhet kërkuar informacione të balancuara jo vetëm ato që përputhen me botëkuptimin tonë, duhe provuar vetëftohjen (pauzimin), të ndajmë identitetin nga opinionet, të përqendrohemi te benefitet kolektive e jo te fitorja individuale. Një gjë tjetër me rëndësi është që politikisht të kalojmë nga mindseti votëcentrik kah ai argumentcentrik.

Demokracia deliberative është një paradigmë e re në shkencat sociale, që lëviz drejt bashkimit të sociologjisë dhe shkencave politike. Ndër ne kjo realisht është nuk është pjesë e kulturës politike të komunitetit. Megjithatë ka edhe xixa serioze të një tendence deliberative: platforma qytetare “Më mirë për Tetovën”  përpiqet të artikulojë zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe t’i bëjë ata pjesë të debateve për buxhetin apo planet urbanistike. Si një iniciativë e pavarur jashtë partive tradicionale, krijon një hapësirë të re alternative ku qytetarët mund të diskutojnë jashtë kornizave ideologjike apo klienteliste, që është pikërisht qëllimi i sferës publike deliberative. Ajo synon ta zhvendosë debatin nga retorika e pastër politike drejt zgjidhjeve teknike e racionale.

Rrjetet sociale në nënqiellin tonë kanë krijuar një cunami të “imoralitetit demokratik”. Për të mos pasur gjithë atë vrer partitocentrik primitiv që shprehet nëpër media sociale, pa guxim për ta elaboruar atë me një gjuhë racionale, duhet më tepër edukim dhe informim që të kemi qytetarë me më tepër vetëbesim dhe etikë partcipative në agorën socio-politike. Shkurt, demokracia deliberative, si impuls kritik, si rrugë për kapërcimin e asaj formaliste liberale si agregim mekanik i preferencave, si komunikim përmes debatit, që fuqizon ethosin e respektimit të ndërsjellë, nënkupton moralizimin e politikës; ajo del kundër elitizmit konkurrues (Schumpeter), në mbështetje të grupeve të margjinalizuara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.