Mbi procedurat

Jehona e vrasjeve të javës së kaluar vazhdon të na mbajë të ngujuar dhe në pritje të proceseve që duhet të realizohen me qëllim që fajtorët të nxiren para drejtësisë, të gjykohen dhe të bartin përgjgjësi për veprimet makabre që i tmerruan jo vetëm familjarët e viktimave, por edhe gjithë shoqërinë. Sa keq që procedurat juridike zgjasin shumë, ndërsa koha kalon e ne zemërohemi pse nuk mundet që brenda ditës personi që dyshohet t’i ketë bërë këto akte të frikshme të shkojë menjëherë në vuajtje të dënimit. E megjithatë, një proces i drejtë dhe i paanshëm gjyqësor, ku respektohen të gjitha standardet e duhura, është po aq i rëndësishëm sa edhe vendosja e përgjegjësisë penale për të dy vrasjet e tmerrshme që ngritën në këmbë një rajon të tërë.

Ekstradimin e diskutojmë shpesh me studentët në fakultetin e drejtësisë. Kjo formë e bashkëpunimit ndërkombëtar njihet si forma më komplekse e bashkëpunimit, duke qenë se paraqet një procedurë të rregulluar me dokumente vendase dhe ndërkombëtare, një procedurë që zhvillohet përmes shumë veprimeve në të dy shtetet, një procedurë që është me rëndësi esenciale për mbarëvajtjen e proceseve penale dhe për vendosjen dhe bartjen e përgjegjësisë për ata që kanë kryer krime të rënda.

Ekstradimi parashihet si formë e bashkëpunimit pikërisht për krime të rënda të cilat janë në gjykim e sipër ose për të cilat tash më ekziston aktgjykim i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Ekstradimi realizohet përmes parimeve të caktuara, prej të cilave ekstradibiliteti është parim esencial, që do të thotë se duhet të bëhet fjalë për vepër të rëndë penale, si që është rasti i fundit ku kërkohet ekstradimi i Palevskit nga Turqia. Parimi i dytë është identiteti i normave, ku kërkohet që të dy shtetet ta kenë parapararë në Kodet e tyre penale veprën penale për të cilën kërohet ekstradimi, ku edhe ky kusht përmbushet, duke qenë se vrasja është krim i ndaluar në të gjitha shtetet. Për më tepër, ekzistojnë edhe parime të tjera si reciprociteti dhe specialiteti që kërkojnë që të ekzistojë praktikë e reciprocitetit gjatë ekstradimit si dhe që personi i kërkuar të gjykohet për veprën penale që kërkohet, dhe jo për vepër tjetër penale. Pengesë për ekstradimin mund të jetë shtetësia e personit që kërkohet të ekstradohet (që në këtë rast nuk është e zbatueshme, pasi Palevski është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe jo i Turqisë). Pengesat tjera poashtu nuk vinë në shprehje në këtë rast, pasi që as nuk bëhet fjalë për vepër penale politike, e as nuk ka pengesa tjera pse të mos ekstradohet personi në fjalë. Rasti është i qartë, krimi është makabër, dhe procedura duhet të zhvillohet pa pengesa dhe në afat të arsyeshëm kohor. Ministria e drejtësisë në kohë shumë të shkurtër, për vetëm brenda një dite e dërgoi dokumentacionin e nevojshëm tek autoritetet e Turqisë, dhe mori përgjigje që kërkesa është pranuar. Tani u mbetet atyre autoriteteve që të vendosin, së pari në gjykatë, e më pas edhe administrativisht se a do ta aprovojnë kërkesën për ekstradim.

Por ajo që duhet pasur parasysh gjithmonë e që e diksutojmë shpesh me studentët në debate, është fakti që ekstradimi mbetet një obligim moral për shtetin, dhe jo domosdoshmërisht një obligim juridik. Gjithmonë eksziston mundësia që edhe nëse të gjitha kushtet e duhura plotësohen, sërish ekstradimi të mos ndodhë. Në këtë rast nuk ka arsye për të pritur një gjë të tillë, duke qenë se vepra është e qartë, raportet mes shteteve janë të rregullta dhe gjithçka pritet të shkojë mbarë, por megjithatë pritet që ky proces të konsumojë kohë dhe ta zgjasë procedurën penale.

Të gjithë duam që kryersit e veprave penale të sillen sa më parë para drejtësisë dhe të bartin përgjegjësinë që u takon. Kjo nuk do t’i kthejë prap viktimat, por shoqëria duhet të vendosë drejtësi për vdekjen e parakohshme dhe mizore të dy personave të pafajshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.