Punëtorët e Higjienës Komunale të Tetovës të cilët punojnë në kushte të tmerrshme, pritet në janar të dalin në objekt të ri

Në procedurë është procesi i transferimit të punëtorëve të Higjienës Komunale të Tetovës në objekt të ri të punës. Kështu iu përgjigj kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami pyetjes së Portalb.mk se ku mbeti premtimi i tij i para dy viteve për dislokimin e punëtorëve nga hapësira aktuale ku punojnë që është në kushte shumë të këqija.

Punonjësit e “Higjienës Komunale” të NPK-së së Tetovës vijojnë të punojnë në kushte shumë të këqija dhe në objekt të cilit gati se është duke i rënë tavani.

 21 janar 2022, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami vizitoi këto hapësira nga ku tha se do të angazhohen për të përmirësuar kushtet e tyre dhe të bëjnë dislokimin e tyre nga ato hapësira.

Por, gati se dy vjet më vonë nuk ka ndryshim. Pyetëm Kasamin se çfarë po bëhet në këtë drejtim dhe se kur do të dislokohen punëtorët.

Ai duke iu referuar marrëveshjes për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë theksoi se kanë gjetur edhe hapësira të reja për punëtorët.

“Tani më ka filluar procedura për transferimin e punëtorëve. Duhet të merren disa leje në MMJPH, nga 1 janar 2024 edhe zyrtarisht punëtorët do të jenë të transferuar, me sigurimin e lejeve do mund të operojnë. Nga 1 dhjetori ka filluar procedura për transferimin e punëtorëve, me sigurimin e lejeve që nga i pari 2024 të fillojnë edhe me punë… Në të njëjtën kohë është edhe procesi i transferimit fizik të punëtorëve në hapësira të reja të cilat i ka siguruar Komuna e Tetovës për ndërmarrjen e re, pra bëhet fjalë për hapësira në fshatin Pallçisht ku është objekt me të gjitha kushtet”, tha Kasami.

Ndërkaq, në lidhje me rrogat e prapambetura të punëtorëve të Higjienës Komunale për të cilat edhe punëtorët protestuan së fundmi, ai tha se për Komunën është e rëndësishme që nga 1 janari 2024 me ndërmarrjen e re të mund t’i marrin rregullisht pagat, ndërsa për pagat e mbetura si Komunë do të gjejnë zgjidhje për t’i paguar por nuk theksoi se çfarë zgjidhje.

Nga ana tjetër, në seancën e stome, të 23-të të Këshillit Komunal të Tetovës u miratua vendimi për vendosjen e depozitimit dhe për anëtarësimin e partnerit të ri në Shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar dhe rritjen e kapitalit themelor duke ndërmarrë investime të reja.

Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi në lidhje me vendimin e lartpërmendur sqaroi se kanë paraparë depozitimin e mjeteve themeluese apo kapitalin themelor nga ana e Komunës dhe nga ana e partnerit privat për themelimin e Shoqërisë për prodhimtari dhe shërbime komunale “Oaeneum” SHPK Tetovë në Regjistrin Qendror që të mundet ndërmarrja të jetë funksionale.

“Do të vendoset kapitali themelor edhe nga ana e Komunës edhe nga ana e partnerit privat, gjegjësisht sllovenëve në Regjistrin Qendror që të mund të jetë funksionale veprimtaria e tillë. Ata vetëm se kanë filluar, kanë selektuar punëtorët, kanë bërë intervistën e tyre. Shpresojmë që menjëherë pas vitit të ri gjithçka do të jetë funksionale”, tha Durmishi.

Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.

Sipas kontratës, partneri privat obligohet pas lidhjes së kontratës, nga NPK “Tetova” – Tetovë të pranojë së paku 100 persona (69 punëtorë teknikë dhe 31 punëtorë administrativë) për kryerjen e shërbimeve komunale dhe të lidhë kontrata pune me ta për kohë të pacaktuar në pajtim me ligjin për Marrëdhënie Pune, Ligjit për nëpunësit Administrativë dhe Ligjit për të punësuarit në Sektorin Publik.

Kujtojmë se në janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.