Me ligjin e ri do të mundësohet hapja e fermave për prodhimin e mishit të gjahut

Kuvendi miratoi Ligjin për gjahun dhe gjuetinë, zgjidhje ligjore që është në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian, njoftoi Ministria e Bujqësisë, transmeton Portalb.mk.

“Me miratimin e këtij ligji, ne largohemi nga kornizat ekzistuese të koncesionit, sepse gjahu si i tillë është një burim pjesërisht i rinovueshëm, ndaj në të ardhmen pritet që gjahu të jepet në përdorim dhe menaxhim, në vend të koncesionit, siç ishte zgjidhje ligjore paraprake, dhe atë për një periudhë deri në 20 vjet. Një ndryshim i tillë është në drejtim të qëndrueshmërisë në kultivim, mbrojtje dhe shfrytëzim të tij”, tha Ministria e Bujqësisë.

Përparësi në shpërndarjen për përdorim të gjahut në vendgjueti, në të njëjtat kushte, do të kishin koncesionarët e mëparshëm të gjahut, të cilët kryesisht i përkasin shoqërive të gjuetisë.

Ligji i ri për gjueti parasheh kompetenca më të mëdha publike për Federatën e Gjuetisë së Maqedonisë. Nga pikëpamja e sigurisë, ligji i ri parashikon trajnimin e detyrueshëm përpara dhënies së provimit të gjuetisë, veçanërisht në fushën e sigurisë së gjuetisë. Për më tepër, ligji i ri parashikon një dispozitë me të cilën jelekët me marker fluoreshente bëhen të detyrueshëm gjatë gjuetisë së gjahut.

Risi është edhe fakti që sezoni i gjuetisë së derrit të egër nis më herët, pra parashikohet të fillojë më 1 maj dhe numri i gjuetjeve të lejuara për gjuetar në ditë është i kufizuar për lloje të caktuara të gjahut.

Ligji për gjahun dhe gjuetinë parashikon mundësinë e krijimit të një gjuetie për kafshët e vogla të prodhuara artificialisht, si dhe mundësinë ligjore për krijimin e fermave për prodhimin e mishit të gjahut. Në këtë mënyrë kontribuon në zhvillimin e turizmit të gjuetisë, si dhe mundësinë e prodhimit dhe shitjes së mishit të kafshëve të gjahut.