Mbi një milion denarë puro dhe duhan u sekuestruan nga Dogana e Maqedonisë së Veriut
Qindra puro dhe qindra kilogram duhan në vlerë mbi një milion euro u sekuestruan për dy ditë nga Doganat e Maqedonisë së Veriut, pas aksionit policor në pikën kufitare dhe në disa pjesë të Shkupit, transmeton Portalb.mk.
“Inspektorët e Sektorit për kontroll dhe hetime të Drejtorisë së doganave në dy hetime të veçanta të kryera më 18 dhe 19.5.2023, kanë konfiskuar 200 copë puro luksoze dhe 220 kilogramë duhan në vlerë të përgjithshme prej 1.200.000 denarë”, raportoi Dogana e Maqedonisë së Veriut, duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj tyre.
Dogana vlerësoi që përmes këtij transporti është tentuar të shmanget pagesa për tatim në vlerë prej 970 mijë denarë. Duhani ishte sekuestruar në disa lokacione në Shkup.
“Në rastin e parë janë sekuestruar puro të markës “Cohiba” dhe “Trinidad”, të cilat janë zbuluar gjatë kontrollit të një autobusi në pronësi të një kompanie bullgare, i cili operonte në linjën e rregullt Sofje – Shkup – Sofje, në hyrje të vendin në pikën kufitare Deve Bair. Purot u gjetën në një frigorifer të vogël ku ishin të fshehura në dy qese plastike të zeza”, sqaroi Dogana.