Mbi Nietzche-n, mungesën e modestisë dhe fatalizmin

Veprat e Friedrich Nietzche-s nuk lexohen. Ato rilexohen. Disa herë. Dhe sa herë i rilexojmë aty zbulojmë margaritarë të ri mendimi. Emil Ciorane-i tha se s’duhet të shkruajmë për librat që s’i kemi rilexuar. Një shkrimtar vlen vetëm nëse vepra e tij rilexohet. Një vepër që rilexohet është Ecce Homo (1908) – një “libër personal” ku Nietzche nuk është fare modest. “Pse jam kaq i mençur”, “Pse jam kaq i zgjuar”, “Pse shkruaj libra kaq të mirë”, “Pse jam një fat”. Janë disa tituj sprovash, që duken si mburrje prej një të çmenduri.

Me syrin e një njeriu që e lartëson modestinë, kjo duket si çmenduri. Me modestinë është abuzuar shumë. Është bërë si ligj i pashkruar se njeriu duhet të jetë modest dhe të shtiret se është si të tjerët. Në botë ka edhe një pakicë njerëzish me “virtyt dhurimi”. Nietzche është njëri prej tyre.

Ne mund mos pajtohemi me shumë mendime të Nietzche-s, por s’e mohojmë dot se ky Dionis përballë Krishtit, është gjeni i rrallë. Vetë portreti i tij, nga pak fotografitë e tij, flet për një qenie të veçantë. Fytyrëmrrolur, shikimpërhumbur, mustaqemadh, me dorën e vënë mbi kokën ku vlojnë mendime të trishta. Duam ose jo, nuk kemi si mos e pranojmë se Nietzche është i ndryshe, se ai shkroi libra gjenialë. Pse? Sepse guxoi më shumë se të tjerët, sepse ishte i ashpër dhe i pastër ndaj vetvetes.

“Çdo arritje, çdo hap përpara drejt njohjes është rrjedhojë e guximit, e ashpërsisë ndaj vetvetes, e pastërtisë ndaj vetvetes… Unë nuk i hedh poshtë idealet, thjesht vesh dorezat kur jam para tyre… Nitimur in vetitum [Synimi për të ndaluarën] – në këtë pikë filozofia ime do të triumfojë një ditë, sepse deri më sot vetëm e vërteta është ndaluar sistematikisht”. (Friedrich Nietzche, Ecce Homo –  si bëhet njeriu ai që është, Përktheu: Taulant Hatia, Konica, 2001, f. 6.)

II.Për librat e mirë mund të shkruhen mijëra libra të tjerë. Te një libër i mirë ndodh që fokusohemi vetëm te një prej miliona margaritarëve që gjenden aty. Mund edhe t’i kontekstualizojmë mendimet e një autori për të bërë krahasime me realitetin tonë. Se librat e mirë i flasin çdo kohe. Në këtë libër bën përshtypje edhe qasja mbi fatalizmin. Mbi fatalizmin rus. Që nuk është vetëm fatalizëm rus.

“Fatalizmi rus, ai fatalizëm pa revoltë me të cilin një ushtar rus, për të cilin ekspedita ushtarake është tepër e vështirë, shtrihet më në fund për të fjetur mbi dëborë. Të mos marrësh më asgjë, të mos presësh më asgjë brenda vetes, në thelb të mos reagosh më… Arsyeja më e madhe e këtij fatalizmi, që ndonjëherë është vetëm guximi për të vdekur, por që në rrethanat më të rrezikshme mund të funksionojë si ruajtje e vetes, është ulja e aktivitetit të funksioneve jetësore, ngadalësimi i tij, një lloj gjumi dimëror… Ngaqë konsumohesh shumë shpejt nëse në përgjithësi reagon, atëherë së shpejti nuk do të reagosh më, kjo është logjika”. (f.21)

III. Le ta lëmë mënjanë Nietzche-n. Le të na shërbejë thënia e mësipërme për një krahasim me gjendjen e njeriut në ambientin tonë.

“Të mos marrësh më asgjë, të mos presësh më asgjë brenda vetes, në thelb të mos reagosh më…”

Kjo është gjendja e përgjithshme e njeriut të sotëm në këtë ambient. Ai s’pret asgjë. Nuk reagon ndaj shumë ndodhive edhe pse do të duhej ta ngrinte zërin deri në kupë të qiellit. Pse? Sepse është mashtruar shumë herë. Sepse e ka kapluar ligështimi. Sepse e ka humbur shpresën që një ditë do të bëhet më mirë për të.

A është kjo ruajtje e vetvetes? Një gjumë dimëror? Një mbledhje fuqish për t’u zgjuar në vonë? Apo shpirti i tij është moçalizuar? A ka ndonjë forcë që e zgjon njeriun nga letargjia, nga fatalizmi? Hëpërhë askush… Le të besojmë se pas letargjisë pason esëlltia…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.