Mbi gjysmë miliardi njerëz me diabet në mbarë botën: RMV me pothuajse 141 mijë raste, një e treta mbeten të padiagnostikuar
Diabeti mbetet një nga sëmundjet kronike me rritjen më të shpejtë të shekullit të 21-të, sipas Edicionit të njëmbëdhjetë të Atlasit të Diabetit të IDF-së (2025). Sipas të dhënave, në vitin 2024, rreth 589 milionë të rritur në mbarë botën jetonin me diabet, që përfaqëson 11.1 përqind të popullsisë botërore të moshës 20 deri në 79 vjeç. Në Maqedoni, rreth 141 mijë njerëz jetojnë me diabet, që është 8.9 përqind e të rriturve, ose afërsisht një në njëmbëdhjetë qytetarë të asaj moshe, transmeton Portalb.mk.
Atlasi tregon se rreth 43 përqind e të gjithë të rriturve me diabet në botë janë të padiagnostikuar. Kjo do të thotë se rreth 252 milionë njerëz jetojnë me diabet pa e ditur gjendjen e tyre, duke humbur kështu mundësinë për ndërhyrje të hershme dhe parandalim të komplikimeve. Përveç kësaj, 635 milionë njerëz kanë tolerancë të dëmtuar ndaj glukozës, ndërsa 488 milionë kanë glicemi të dëmtuar urie – gjendje që rrisin ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Hiperglicemia (sheqeri i lartë në gjak) gjatë shtatzënisë prek rreth 1 në 5 gra.
Diabeti është gjithashtu një shkak kryesor i vdekjes së parakohshme. Në vitin 2024, sëmundja është përgjegjëse për më shumë se 3.4 milion vdekje tek të rriturit e moshës 20 deri në 79 vjeç, që përfaqëson rreth 9.3 përqind të të gjitha vdekjeve globale.
Atlasi tregon se barra ekonomike është gjithashtu e madhe – kostot direkte shëndetësore për diabetin kanë tejkaluar 1 trilion dollarë amerikanë për herë të parë, duke përfaqësuar rreth 12 përqind të shpenzimeve totale globale për shëndetësinë.
Në botimin e tij të 11-të, Atlasi Global i Diabetit i kushton shumë më tepër vëmendje diabetit të tipit 1 në të gjitha grupmoshat. Globalisht, rreth 9.1–9.5 milion njerëz jetojnë me diabet të tipit 1 në vitin 2024, nga të cilët rreth 1.9 milion janë fëmijë dhe adoleshentë nën 20 vjeç.
Ndryshe nga mendimi i pranuar përgjithësisht, shumica e njerëzve me diabet të tipit 1 (rreth 69%) janë të rritur të moshës 20–59 vjeç, jo fëmijë. Evropa ka përqindjen më të lartë të njerëzve me diabet të tipit 1 – rreth 2.7 milion, duke reflektuar shkallë të larta mbijetese dhe akses më të mirë në insulinë dhe kujdes.
Në Maqedoni, 938 vdekje në vit lidhen me diabetin.
Sipas vlerësimeve të Atlas, rreth 141 mijë njerëz jetojnë me diabet në Maqedoni, që përbën 8.9 përqind të të rriturve, ose afërsisht një në njëmbëdhjetë qytetarë. Nga këta, rreth një e treta – afërsisht 47 mijë njerëz – nuk e dinë se e kanë sëmundjen. Prevalenca krahasuese prej 7.4 përqind është pak nën mesataren evropiane prej 8 përqind.
- LEXO: Mbi 140,000 njerëz në RMV kanë diabet, alarm për parandalim dhe qasje më të fortë në terapi
- LEXO: Shoqata e diabetikëve kërkon nga Ministria e Shëndetësisë menjëherë të merr masa për shpërndarjen e insulinës nëpër farmacitë e RMV