Tirana shtëpi e leximit: Panairi i Librit bashkoi lexuesit

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po zhvillohet edicioni i 28-të i Panairit të Librit, ngjarja më e madhe letrare në vend, që këtë vit mban moton “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”. Ky edicion sjell ditë të plota të dedikuara letërsisë, autorëve dhe lexuesve, duke e shndërruar Tiranën në qendrën e kulturës së librit. Gjatë pesë ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësi të njihen me botimet më të reja nga mbi 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e më gjerë, si dhe të marrin pjesë në promovime, diskutime dhe takime me autorë, shkruan Portalb.mk.

Pjesë e panairit janë edhe shtëpitë botuese nga Maqedonia e Veriut si “Logos A”, Furkan ISM, “Alsar” etj, të cilat prezantojnë botimet e tyre më të reja dhe kontribuojnë në pasurimin e ofertës letrare shqiptare. Për pesë ditë me radhë, vizitorët do të kenë mundësi të zbulojnë tituj të rinj, të marrin pjesë në promovime, diskutime dhe takime me autorë nga mbarë hapësira shqipfolëse.

Muhamed Jashari, koordinator i botimeve të Shtëpisë Botuse “Logos A” për Portalb.mk tha se pjesëmarrja e tyre në Panairin e Librit në Tiranë është më shumë se ekspozim botimesh, është një urë komunikimi me lexuesin shqiptar kudo që jeton. Prandaj, në këtë nëntor plot festë e kulturë, ju mirëpresim të ndajmë së bashku energjinë e librit.

“Muaji nëntor shqiptarëve anë e mbanë përveç që ua ofron festat kombëtare ua dhuron edhe festën e ditëve të librit. Realizimi i panairit në Tiranë paraqet një ngjarje të madhe kulturore për botën shqiptare. Pjesëmarrja e Logos-A e plotëson synimin tonë si botues për t’iu qëndruar afër lexuesisë së gjerë. Ne konsiderojmë që përveç ofrimit dhe prezantimit të veprave mund që të këmbejmë përvoja dhe ide me botues nga trevat e ndryshme. Ashtu sikurse çdo vit edhe në këtë, lexuesve ua sjellim tituj të shumtë. Ndër to mund të përmendim romanin: “Udhëtimi për në Tajan” nga akademik Ferid Muhiç; “Në kupën qiellore” të mendimtarit Ibrahim Kallën; Michel Foucault Pushteti, Dija, Individi, të Kushtrim Ahmetit. Nuk mungojnë as veprat nga fusha e historisë, filozofisë, letërsisë, hermeneutikës etj”, tha Jashari.

Foto nga Panairi i Librit Tirana 2025. Foto: Shtëpia Botuese Dituria (Facebook)
Foto nga Panairi i Librit Tirana 2025. Foto: Shtëpia Botuese Dituria (Facebook)

Ashtu si vitet e tjera, panairi do të ketë një kënd për biseda me shkrimtarë, përkthyes, botues e kritikë, në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve ku është vendosur “Sofaja e librit”.

Panairi i 28-të i Librit do të kulmojë të shtunën me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për botimet më të mira të vitit, ndërsa do të ulë siparin ditën e diel në 16 nëntor.