Mashtrimi me kthimin e TVSH-së nga kompanitë e naftës në RMV, Policia Financiare kryen kontrolle

Drejtoria e policisë financiare sot kumtoi se ka dorëzuar informatë deri në Prokurorinë publike për informatat që disponon deri tani në lidhje me lëndën e kompanive të naftës që me fatura të rrejshme tentuan të dëmtojnë buxhetin e shtetit, ku dje detaje për këtë dha Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP). Paralajmëron se pas përfundimit të kontrolleve do të dorëzojë parashtresë përkatëse me shkrim deri te prokurori publik.

Drejtoria e policisë financiare thekson se për lëndën konkrete ka bashkëpunuar aktivisht me DAP-in.

“Nga ana e Drejtorisë së policisë financiare ndërmerren masa dhe aktivitete që kanë të bëjnë me konstatimin e dyshimeve për kryerjen e veprave penale në juridiksionin e saj. Konform ligjit për procedurën penale është dorëzuar informatë deri te prokurori publik kompetent lidhur me informatat që kemi deri më tani. Duke pasur parasysh se të gjitha aktivitetet e ndërmarra në procedurë parahetimore, konform nenit 289 të Ligjit për procedurën penale konsiderohen si të fshehta, për kallëzimet e pranuara dhe njohuritë për aktivitete të mundshme të inkriminuara nga persona fizik dhe juridik, pas kompletimit të kontrolleve Drejtoria e policisë financiare do të dorëzojë parashtresë përkatëse me shkrim deri te prokurori publik kompetent”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë së policisë financiare.

DAP dje dha detaje mbi mënyrën se si kompanitë e naftës me fatura të rrejshme kanë dashur të marrin rimbursim të TVSH-së dhe pagesa në bazë të tatimit për të ardhura personale në shumë prej 160.117.130 denarë, përkatësisht 18.969.998 denarë. Për këto raste, siç thonë nga DAP kanë dorëzuar raport me shkrim me prova në Prokurorinë Themelore Publike dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme më 15 nëntor 2023, ndërsa në Drejtorinë e policisë financiare më 1 dhjetor 2023.

Ndryshe, Drejtoria e të Ardhurave Publike ka nxjerrë detaje se si kompanitë e naftës me fatura false kërkonin të merrnin rikthimin e TVSH-së dhe pagesat e Tatimit mbi të Ardhurat Personale. Llukarevska thotë se në bazë të TVSH-së është parandaluar mashtrim në vlerë prej më shumë se 160 milionë denarë, ndërsa në bazë të të hyrave personale shuma arrin në gati 19 milionë denarë.