MASh: Nuk kemi iniciuar rritje të pjesëmarrjes për studime, shuma mbetet e njëjtë, studentët të jenë të qetë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar ndaj shkrimeve  të disa mediave ku thuhet se me iniciativë të Ministrisë dhe Qeverisë do të dyfishohet pjesëmarrja për studime në institucionet e arsimit të lartë shtetëror për të tre ciklet e studimeve. Ky informacion nuk është i vërtet dhe për këtë arsye MASh u bën thirrje studentëve që të jenë të qetë, sepse do të vazhdojnë të paguajnë të njëjtat shuma për shtetin dhe kuotën e bashkëfinancimit që janë të vlefshme për momentin, transmeton Portalb.mk.

“Në komunikim me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, morëm informatë se rektorati ka kërkuar mendim nga fakultetet dhe njësit në përbërje, nëse shumat të cilat aktualisht po paguhen janë të arsyeshme apo ndoshta duhet t’i nënshtrohen korrigjimeve të caktuara. Megjithatë, ky është proces i nisur nga brenda. Ministria e Arsimit dhe Shkencës respekton parimin e gjithëpërfshirjes gjatë krijimit të politikave dhe sjelljes së vendimeve, kështu që i sigurojmë studentët se asnjë vendim që e dëmton procesin e tyre arsimor nuk do të sjellet pa përfshirjen e organizatave që përfaqësojnë qytetarët e ardhshëm akademikë”, thonë nga MASh.

MASh shton se shumat e participimit mbetet e njëjta sikurse deri më tani.

Ndryshe, Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut në dhjetor shpalli Konkurs për mbështetjen financiare të studentëve që studiojnë larg vendbanimit gjate vitit akademik 2023/24. Vlera e mbështetjes është prej 600 deri 1200 denarë në muaj.