Qeveria e RMV-së do të nisë fushatë për blerjen e produkteve bujqësore vendase, por nuk tregon se sa do të kushtojë

Qeveria do të nisë një fushatë për blerjen e produkteve bujqësore vendase, të cilat thotë se do të stimulojnë rritjen e ekonomisë vendase. Se sa do të kushtojë fushata, Qeveria nuk tregon, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

“Fushata ‘Blini produkte bujqësore vendase’ për të promovuar prodhimin bujqësor vendas është në fazën e saj përfundimtare. Të gjitha detajet rreth kësaj fushate, e cila është me rëndësi të madhe për qytetarët, fermerët dhe përpunuesit e ushqimit maqedonas, si dhe më shumë detaje, do të ndahen me publikun nga Ministria e Bujqësisë. Qëllimi i Ministrisë dhe Qeverisë me fushatën është të stimulojë rritjen e ekonomisë vendase, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konsumit të produkteve bujqësore të prodhuara nga fermerët vendas. Çdo produkt i prodhuar në Maqedoni do të jetë i etiketuar dhe lehtësisht i dallueshëm, fushata duhet të rrisë ndërgjegjësimin tek qytetarët, të rrisë kërkesën për produktet maqedonase në treg, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e prodhimit bujqësor në Maqedoni”, u përgjigj Qeveria, por nuk morën përgjigje për pyetjen se sa do të kushtojë fushata.

Fushata parashikon që çdo produkt të etiketohet nëse është prodhuar në Maqedoni apo është importuar nga një vend tjetër.

“Kjo jo vetëm që do të rrisë kërkesën e tregut, por do të rrisë edhe prodhimin bujqësor. Nëse më parë kishim një situatë ku fushat ishin të braktisura, tani do t’i inkurajojmë fermerët të kthehen në fusha me punën e tyre. Qëllimi ynë kryesor është ta bëjmë Maqedoninë një vend të pavarur bujqësor”, njoftoi Qeveria.