Mariçiq: Ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10d nënkupton 8.000 vende të reja pune dhe investime prej 1.3 miliardë euro

Me realizimin e projektit më të madh të infrastrukturës deri më tani, ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10-d, që janë korridore panevropiane, për herë të parë pas 30 vitesh, përmes një infrastrukture të re dhe moderne rrugore do të lidhemi me lindjen dhe perëndimin, tha zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq në tribunën e hapur të mbrëmshme në Shtip, transmeton Portalb.mk.

Ai shtoi se ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10-d nënkupton 8.000 vende të reja pune dhe investime të reja prej 1.3 miliardë euro, por hap mundësi edhe për biznese të reja.

“Në 32 vitet e fundit në vend janë ndërtuar dhe vënë në përdorim 186 kilometra autostradë, ose 5.8 kilometra autostradë në vit. Dhe tani, me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d, në 4 vitet e ardhshme do të ndërtohen 23 kilometra autostradë në vit”,  tha Mariçiq

Mariçiq iu referua edhe aktiviteteve aktive ndërtimore në rrugët e Maqedonisë, por edhe projektit të përfunduar sivjet për realizimin e pjesës lindore të korridorit panevropian, autostradës Kumanovë – Stracin, investim prej 12 milionë eurosh, si pjesë e Korridorit 8.

Ai theksoi se në këtë mënyrë forcohen edhe lidhjet transportuese me rajonin, duke e lidhur kështu Ballkanin Perëndimor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

“Kur të përfundojë Korridori 10d me lidhjen në rrjetin autostrada Miladinovci-Shtip, Shtip-Radovish dhe Shtip-Koçan, do të kemi një transversal rrugor modern, evropian dhe një drejtim rrugor me rëndësi strategjike për zhvillim shtesë ekonomik të rajoneve që i lidh”, tha Mariçiq.

Në fund, Mariçiq theksoi se nuk do të ndalen me punimet ndërtimore, sepse siç tha ai, krijimi i pjesëve moderne rrugore i hap rrugën përmbushjes së perspektivave tona evropiane.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir. Ndërkaq më 1 qershor në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.