MPB: Mos bini pre e ftesave të rreme elektronike në emër të drejtorit të BSP-së, është mashtrim ndërkombëtar

Nëse merrni një e-mail në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike (BPS), Sasho Tasevski, i cili duket si ftesë në gjykatë, mos bini pre pasi është mashtrim ndërkombëtar, njoftoi sot në mëngjes Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

Nga aty theksojnë se Ministria e Punëve të Brendshme së fundi ka pranuar disa denoncime nga qytetarë të cilët pretendohet se kanë marrë ftesë gjyqësore me e-mail, në të cilat janë njoftuar se janë objekt i procedimit ligjor për një sërë krimesh që kanë kryer, të tilla si pornografia e fëmijëve, pedofili, ekzibicionizëm. Njëkohësisht, siç shtohet nga MPB-ja, marrësi i mesazhit ftohet të regjistrohet me email dhe të japë të dhënat e tij personale.

“MPB njofton qytetarët se është një mesazh i rremë që nuk është dërguar nga MPB-ja, gjegjësisht BSP. Ndaj apelojmë për vëmendje të veçantë, të mos hapen këto mesazhe, të mos kontaktohet me dërguesin dhe të mos shpërndahen të dhënat personale që kërkojnë mashtruesit. Gjithashtu ju paralajmërojmë të mos hapni linqe dhe skedarë që dërgohen si bashkëngjitje të një mesazhi elektronik që vjen nga një dërgues i panjohur, për të mbrojtur sistemin tuaj kompjuterik nga programet keqdashëse”, njofton Ministria e Brendshme.

Mesazhe elektronike me përmbajtje të ngjashme, siç theksojnë nga Ministria, në të kaluarën u janë dërguar qytetarëve në vendet e rajonit me qëllim të mashtrimit dhe keqpërdorimit të të dhënave personale.

Raporte të ngjashme nga qytetarët Ministria e Punëve të Brendshme kishte pranuar edhe në prill të këtij viti, gjithashtu në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski, në bashkëpunim të pretenduar me Europolin.