Maqedonia lider në Evropë: Mbi 2.500 persona vdiqën për shkak të ndotjes së ajrit në vitin 2023
Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë vendet, banorët e të cilave preken më shumë nga ekspozimi afatgjatë ndaj ajrit të ndotur. Pasojat shëndetësore janë katastrofike, duke shkaktuar shfaqjen e sëmundjeve kronike, karcinomave dhe shkurtimin e jetëgjatësisë. Këto janë vlerësimet më të fundit të publikuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA), të cilat i referohen ndikimeve në shëndetin e popullsisë të shkaktuara nga ekspozimi afatgjatë ndaj grimcave të imëta PM, dioksidit të azotit dhe ozonit, bazuar në të dhënat deri në vitin 2023, transmeton Portalb.mk.
Maqedonia, së bashku me Bosnjën dhe Shqipërinë, sipas raportit, është në krye të vendeve të prekura nga ndotja e ajrit me grimca PM 2.5. Të tre vendet kanë regjistruar ndër përqindjet më të larta të vdekjeve që janë pasojë e drejtpërdrejtë e ekspozimit afatgjatë ndaj ajrit të ndotur. Raporti vëren se kjo prek veçanërisht fëmijët, si një kategori e cenueshme, duke shkaktuar astmë, si dhe sëmundje të zemrës, kancer të mushkërive, COPD, diabet dhe demencë në popullatën mbi 30 vjeç.
Sipas të dhënave të publikuara nga EEA, në Maqedoni në vitin 2023, 2.667 persona vdiqën nga shkaqe të lidhura drejtpërdrejt me ndotjen e ajrit, në Shqipëri vdiqën 3.551 persona dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë 4.783 persona.
Agjencia evropiane arrin në përfundimin se, megjithëse është bërë përparim i konsiderueshëm në uljen e ndotjes së ajrit, 95% e banorëve urbanë në Evropë mbeten të ekspozuar ndaj përqendrimeve të ndotësve të ajrit mbi rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ulja e ndotjes së ajrit në nivelet e udhëzimeve të OBSH-së mund të parandalojë 182,000 vdekje që i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave të imëta (PM2.5), 63.000 ndaj ekspozimit ndaj ozonit (O3) dhe 34.000 ndaj ekspozimit ndaj dioksidit të azotit (NO2) në BE në vitin 2023.
Provat e reja sugjerojnë se ndotja e ajrit mund të shkaktojë edhe demencë.
Kujtojmë se edhe Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se në Maqedoninë e Veriut brenda një viti ka pasur 3 583 vdekje për shkak ajrit të ndotur.
Këto llogari janë bërë për periudhën 2020-2022, ku vlerësohet se 16.1 përqind e vdekshmërisë totale është për shkak ajrit.