Administrata Trump tha se po pezullonte të gjitha aplikimet për imigracionin, përfshirë aplikimet për kartë jeshile dhe shtetësi, nga emigrantët nga 19 vende jo-evropiane, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike. Pezullimi vlen për njerëzit nga 19 vende që tashmë i nënshtroheshin një ndalimi të pjesshëm udhëtimi në qershor, i cili vendos kufizime shtesë mbi imigracionin – një tipar qendror i platformës politike të presidentit të SHBA-së Donald Trump. Lista e vendeve përfshin Afganistanin dhe Somalinë, transmeton CNN.
Memorandumi zyrtar që përshkruan politikën e re përmendi një sulm ndaj anëtarëve të Gardës Kombëtare të SHBA-së në Uashington javën e kaluar, në të cilin një afgan u arrestua si i dyshuar. Një anëtarë u Gardës Kombëtare u vra dhe një tjetër u plagos rëndë në të shtënat.
Trump gjithashtu ka rritur retorikën e tij kundër somalezëve në ditët e fundit, duke i quajtur ata “llum” dhe duke thënë se “nuk i duam në vendin tonë”.
Që kur u kthye në detyrë në janar, Trump i ka dhënë përparësi agresive zbatimit të ligjit për imigracionin, duke vendosur agjentë federalë në qytetet kryesore të SHBA-së dhe duke i kthyer mbrapsht azilkërkuesit në kufirin SHBA-Meksikë. Administrata e tij shpesh ka theksuar shtytjen për deportime, por deri më tani ka vënë më pak theks në përpjekjet për të riformësuar imigracionin e ligjshëm.
Kufizimet pas të shtënave me armë ndaj anëtarëve të Gardës Kombëtare sinjalizojnë një fokus të shtuar në imigracionin e ligjshëm si një mënyrë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për t’ia kaluar fajin për politikat e tij ish-presidentit Joe Biden.
Lista e vendeve të synuara në memorandumin e së mërkurës përfshin Afganistanin, Burmën, Çadin, Republikën e Kongos, Guinenë Ekuatoriale, Eritrenë, Haitin, Iranin, Libinë, Somalinë, Sudanin dhe Jemenin, të cilat iu nënshtruan kufizimeve më të rrepta të imigracionit në qershor, duke përfshirë një pezullim të plotë të hyrjes me pak përjashtime.
Të tjera në listën e 19 vendeve që iu nënshtruan kufizimeve të pjesshme në qershor përfshijnë Burundin, Kubën, Laosin, Sierra Leonen, Togon, Turkmenistanin dhe Venezuelën.
Politika e re ndalon aplikimet në pritje dhe kërkon që të gjithë emigrantët nga lista e vendeve t’i nënshtrohen një procesi të plotë shqyrtimi, duke përfshirë një intervistë të mundshme dhe, nëse është e nevojshme, një riintervistë, për të vlerësuar plotësisht çdo kërcënim për sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike.
Memorandumi citon disa krime të kohëve të fundit që dyshohet se janë kryer nga emigrantët, përfshirë sulmin ndaj Gardës Kombëtare.
Sharvari Dalal-Daney, drejtoreshë e lartë e marrëdhënieve qeveritare në Shoqatën Amerikane të Avokatëve të Imigracionit, tha se organizata ka marrë raporte për ceremonitë e anuluara të betimit, intervistat e natyralizimit dhe intervistat e rregullimit të statusit për njerëzit nga vendet e listuara në ndalimin e udhëtimit.