Imitim apo dezinformim: Si GFCN e përdor verifikimin e fakteve si një mjet ndikimi

Vitin e kaluar në Rusi u themelua i ashtuquajturi Rrjeti Global për Verifikimin e Fakteve (GFCN), i konceptuar si kundërpeshë e Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve (IFCN), anëtare i të cilit është edhe Vërtetmatësi. Në vend të transparencës, GFCN ofron propagandë të paketuar në formë të verifikimit të fakteve, shkruan Vërtetmatësi.

Shkruan: Ana Anastasovska

E formuar me ambicie për t’u bërë një qendër ndërkombëtare në luftën kundër dezinformimit, GFCN për një kohë të shkurtër tërhoqi vëmendje, por edhe kritika të rëndësishme. Rrjeti, i mbështetur nga institucione ruse, zyrtarisht paraqitet si një platformë globale për verifikimin e fakteve. Megjithatë, një pjesë e organizatave ndërkombëtare paralajmërojnë se pas saj mund të qëndrojë më shumë një mekanizëm propagandistik sesa gazetaresk.

Sipas informacioneve zyrtare, iniciatorët e projektit janë agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, organizata ANO Dialogue Regions dhe qendra arsimore për media New Media School. Ueb-faqja me të njëjtin emër u vu në funksion në prill të vitit 2025, dhe rrjeti që në muajt e parë u promovua si një platformë që do të bashkojë verifikues të fakteve nga “kontinente, hapësira mediatike dhe kultura të ndryshme”.

Në prezantimin e saj, GFCN angazhohet për transparencë, profesionalizëm dhe verifikim të paanshëm të informacionit. Publikut i ofrohen materiale edukative, video-leksione dhe mjete për identifikimin e lajmeve të rreme, përpunimin e fotografive dhe analizën e përmbajtjeve online. Rrjeti pretendon se siguron “bashkëpunim ndërkombëtar në emër të së vërtetës”, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një lojtar të ri të rëndësishëm në fushën e verifikimit mediatik.

Por pikërisht këtu fillon edhe kapitulli i dytë, shumë më kritik.

Dyshime për pavarësinë e vërtetë të organizatës

Emrat e themeluesve, si edhe modeli i komunikimit, hapën rrugë për dyshime lidhur me pavarësinë e vërtetë të organizatës. Analistë të mediave në disa vende evropiane paralajmëruan se GFCN përdor një stil vizual dhe terminologjik pothuajse identik me atë të IFCN-së ndërkombëtare, rrjetit të njohur global për verifikimin e fakteve, gjë që mund të krijojë konfuzion dhe t’i japë një pamje të rreme kredibiliteti që ajo ende nuk e ka.

Disa artikuj hulumtues vitin e kaluar e përshkruan GFCN-në si një projekt të lidhur ngushtë me Kremlinin, me një rol të mundshëm në përhapjen e narrativave gjeopolitike nën etiketën e “fakteve të verifikuara”. Sipas kritikëve, një pjesë e analizave që publikon rrjeti nuk i përmbahen standardeve të verifikimit të pavarur të informacionit, por në disa raste paraqesin një interpretim të njëanshëm të ngjarjeve që lidhen me luftën në Ukrainë dhe politikën e jashtme ruse.

Nga organizata thonë se akuzat janë të motivuara politikisht dhe se misioni i tyre është ekskluzivisht gazetaresk.

Megjithatë, mungesa e raporteve transparente për metodologjinë, financimin dhe politikën redaktuese mbetet një burim kryesor mosbesimi.

Promovimi i interesave të Kremlinit

Edhe pse pretendon se misioni i saj është “të përmirësojë cilësinë dhe objektivitetin e informacionit në nivel kombëtar dhe global”, në praktikë GFCN përdoret për promovimin e interesave të Kremlinit, analizon agjencia Lupa.

Më 9 prill të këtij viti, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, në një konferencë për shtyp e njoftoi lansimin e ueb-faqes së rrjetit, me përmbajtje në gjuhën ruse dhe angleze. Në atë kohë – ndërsa kritikonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ajo konfirmoi se GFCN ka dalë nga qeveria ruse.

Ajo që është më interesante është se kur në SHBA, në mesin e shekullit XX, numri i gazetarëve hulumtues filloi të perceptohej si kërcënues nga autoritetet lokale, u shpik termi “teoricienë të konspiracionit” për t’i “margjinalizuar”. Këtu është ndryshe. Për ata që janë vërtet hulumtues, krijuam platforma komunikimi që të mund të bëjnë atë që e konsiderojnë punë të jetës së tyre, tha Zaharova, transmeton Lupa. 

Dallimet kryesore midis organizatave globalisht të njohura për verifikimin e fakteve dhe kësaj ruse janë se si IFCN (Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve) ashtu edhe EFCSN (Rrjeti Evropian për Verifikimin e Fakteve), ndryshe nga GFCN (Rrjeti Global për Verifikimin e Fakteve), kanë kode shumë të rrepta, insistojnë në transparencë dhe kërkojnë që anëtarët të jenë organizata të regjistruara me financim të qasshëm publikisht. Rrjeti rus, nga ana tjetër, nuk është kaq i rreptë dhe pranon si individë ashtu edhe kompani mediatike si anëtarë. GFCN nuk imponon asnjë kriter për citimin e burimeve dhe e konsideron verifikimin e fakteve si një çështje të sovranitetit kombëtar.

Nga ajo që mund të vërehet në publikimet në ueb-faqen e saj, GFCN është veçanërisht kritike ndaj Bashkimit Evropian. Temat më të zakonshme të tjera janë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumaninë, Francën, Moldavin dhe Ukrainën.

Megjithatë, qëllimi kryesor i GFCN nuk janë vendet, por  shtypi perëndimor. Në publikime dominojnë kritikat ndaj agjencive të lajmeve, duke përfshirë mediat tradicionale, publikimet online, organizatat për verifikimin e fakteve dhe platformat e rrjeteve sociale, për rolin e tyre si botues ose moderatorë të përmbajtjeve.

Narrativa pro-ruse në disa artikuj

Edhe pse media është ende relativisht e re, organizatat e njohura për verifikimin e fakteve kanë vënë në dukje gabime faktike dhe narrativa pro-ruse në disa artikuj. Ndërkohë, shumë nga bashkëpunëtorët e platformës janë propagandistë të njohur rusë, disa prej të cilëve kanë punuar edhe për media të lidhura me Kremlinin.

Reporterët Pa Kufij (RSF), një organizatë joqeveritare për lirinë e shtypit, realizuan një analizë të 39 artikujve të publikuar nga GFCN në qershor. RSF zbuloi se të paktën 15 nga 39 artikujt e analizuar shërbenin kryesisht për promovimin e rrjetit GFCN dhe anëtarëve të tij, për shembull duke nxjerrë në pah pjesëmarrjen e tyre në forume ruse.

RSF gjithashtu vuri në dukje një artikull të publikuar në maj nga Christel Neant, shtetase franceze e cila u bë ruse përmes natyralizimit në korrik 2023 dhe është një propaganduese e njohur. Në artikullin e saj, Neant deklaroi se konfiskimi i apartamenteve civile në Mariupol nga forcat pushtuese ishte “ligjor”, pa përmendur pushtimin rus ose zhvendosjen e detyruar të civilëve.

Kritikët konsiderojnë se zgjedhja e emrit – GFCN, shumë e ngjashme me IFCN – është një strategji e qëllimshme për të krijuar konfuzion dhe për të imituar rrjetin e njohur ndërkombëtar të verifikuesve të fakteve. IFCN është distancuar nga GFCN, duke theksuar se kjo e fundit nuk vepron sipas standardeve profesionale, siç raporton DISA në analizën e saj.

Sipas ekspertëve për dezinformim, ky është një shembull i diskreditimit politik të termit “verifikim i fakteve”, me qëllim shkatërrimin e kuptimit të tij dhe minimin e besimit te verifikuesit e vërtetë. Aktivitetet e tilla janë pjesë e një trende më të gjerë të strukturave të mbështetura nga shteti që përdorin mekanizma formalë korrektë, por manipulues, për të ndikuar në opinionin publik. Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet ta monitorojë dhe ta zbulojë vazhdimisht këtë veprimtari për të ruajtur integritetin e informacionit.