Vajc: Duhet të luftojmë ndikimin serb në Maqedoninë e Veriut
Po shohim shumë ndikim të huaj në Maqedoninë e Veriut. Duhet ta luftojmë atë, qoftë serb, kinez apo rus. Këtë e deklaroi raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc në Strasburg, shkruan BGNES. Raporti i të cilit do të votohet, sot, më 9 korrik, trasnmeton Portalb.mk.
Kushti kryesor, ndryshimet kushtetuese- përfshirja e bullgarëve në të
Ai theksoi se raporti përmban kushtin për ndryshimin e Kushtetutës dhe konkretisht, përfshirjen e bullgarëve në të, sipas medias.
“Raporti thekson gjuhën e urrejtjes, nevojën për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Vajc, duke bërë thirrje për liri të medias dhe përgjegjësi të qartë për pronësinë e tyre.
Komisionerja e Zgjerimit e BE-së, Marta Kos tha se “e vetmja rrugë përpara – mbi të gjitha – është ndryshimi i Kushtetutës”. Ajo i bëri thirrje Shkupit të respektojë të drejtat themelore, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.
Eurodeputetët bullgarë: Politikanët në Shkup po sabotojnë procesin e integrimit evropian
Ivajlo Valçev (ITN-EKR) i pyeti kolegët e tij: “Në cilin vend mund të dënohet një person për citimin e figurave historike? Në cilin vend sulmohen njerëzit për shkak të origjinës së tyre? Dhe cili vend i lejon vetes të shkelë marrëveshjet ndërkombëtare?”
“Sot, Ljubço Georgievski është me ne në sallë dhe mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve sepse është një bullgar i denjë i cili kërcënohet me ndëshkim vetëm sepse ka guximin ta quajë veten bullgar nga Maqedonia. Unë besoj sinqerisht se rruga e RMV-së është të jetë pjesë e Evropës, por autoritetet atje duhet të braktisin padronët e tyre nga Beogradi dhe Budapesti dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut, të respektojnë detyrimet që kanë ndërmarrë”, shtoi Valçev. Ai iu drejtua gjithashtu qytetarëve të Maqedonisë së Veriut: “Mickoski po ju gënjen”, raportoi media.
Andrey Kovaçev i GERB/EPP tha se politikanët në Shkup po sabotojnë procesin e integrimit evropian dhe Bashkimi Evropian nuk duhet t’i mbyllë sytë ndaj kësaj.
“Në vend të reformave dhe progresit të vërtetë, ne shohim populizëm, retorikë nacionaliste dhe një prezantim të përshtatshëm të Bullgarisë si armik, prandaj integrimi evropian i vendit nuk po shkon mirë. Kjo politikë çon në shtypje të drejtpërdrejta kundër njerëzve që kanë ruajtur identitetin e tyre bullgar – trashëgimtarët e shumicës së bullgarëve maqedonas. Ata i nënshtrohen presionit, diskriminimit dhe kërcënimeve të hapura, si në rastin e z. Georgievski – një nga përfaqësuesit më të shquar të komunitetit bullgar”, tha ai.
“Mos e humbni kohën e qytetarëve tuaj”, iu drejtua Kovaçev politikanëve në Maqedoninë e Veriut. Shpresoj që agimi i lirisë të lindë një orë më parë”, shtoi ai, sipas medias bullgare.
Nga ana tjetër, këtyre pretendimeve iu përgjigj eurodeputetja sllovene me origjinë maqedonase, Irena Joveva, e cila iu drejtua kolegëve të saj bullgarë në maqedonisht: “Populli maqedonas nuk ka nevojë për lejen tuaj për të ekzistuar, por ju keni nevojë për ndershmëri, integritet dhe guxim për ta pranuar këtë.”
Kujtojmë se, eurodeputetët këto komente i kanë bërë gjatë debatit mbi Draft-Raportin nga eurodeputeti austriak Vajc pas raporteve të Komisionit Evropian mbi vendin për vitet 2023 dhe 2024. Parlamenti Europian do të votojë sot, për të miratuar Raportin.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Kryeministri dhe presidentja e RMV-së me kritika për ngjarjet në Parlamentin Evropian
- LEXO: Eurodeputetët do të debatojnë mbi draft-raportin e Waitz për RMV-në
- LEXO: Raportohet se është arritur marrëveshje për heqjen e termave “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga draft-raporti për RMV-në
- LEXO: Mickoski paralajmëron luftë të ashpër për raportin e PE-së, Filipçe: VMRO dëshiron të marrë merita, lufta për gjuhën ka mbaruar
- LEXO: Debate të reja mbi identitetin dhe gjuhën pas Raportit për RMV-në, korriku “betejë e ashpër” për Shkupin