Klimë armiqësie: Tone të ashpra diplomatike në relacionin Shkup – Sofje, eurointegrimi i vendit në “offside”
Diplomacia bullgare ka reaguar duke i cilësuar akuzat nga Shkupi zyrtar si jashtëzakonisht fyese dhe armiqësore ndaj vendit të tyre. Reagimi vjen pas thirrjes së ambasadorit bullgar në Ministrinë e Jashtme të RMV-së ku diplomacia e Maqedonisë së Veriut ia shprehu protestën zyrtare pasi MPJ bullgar Georg Georgiev e quajti kryeministrin e RMV Hristijan Mickoski, kryeministër ”maqedonoverior”, transmeton Portalb.mk.
“Sot, ambasadori bullgar në Maqedoni u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me përdorimin e mbiemrit ‘maqedonoverior‘ në lidhje me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Po atë ditë, kryeministri i vendit fqinj i drejtoi fyerje publike jashtëzakonisht të papranueshme Ministrit të Punëve të Jashtme bullgare.
Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë deklaroi si më poshtë:
Ambasadori bullgar në Maqedoni shprehu habi për thirrjen e tij, veçanërisht duke pasur parasysh serinë e mesazheve dhe veprimeve armiqësore që vijnë nga përfaqësuesit e qeverisë në Maqedoni në muajt e fundit. Diplomati bullgar theksoi në mënyrë të qartë se në sferën publike, autoritetet zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut tregojnë në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme mungesë respekti për vendin tonë.
Gjatë takimit, ambasadori bullgar shprehu gjithashtu shqetësimin serioz të Bullgarisë në lidhje me një numër deklaratash të ashpra, manipuluese dhe shpesh ofenduese nga përfaqësues të lartë të qeverisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të drejtuara si ndaj vendit tonë ashtu edhe ndaj BE-së. Është veçanërisht e papranueshme të quhet ‘vend armiqësor‘ një vend që ofron sistematikisht ndihmë reale dhe vetëmohuese – përfshirë edhe momentin kur zjarrfikësit bullgarë ofrojnë… ndihmë Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kriva Palanka në lidhje me zjarret që shpërthyen atje.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë dënon me forcë gjuhën e papranueshme dhe ofenduese të përdorur nga Hristijan Mickoski ndaj një zyrtari bullgar – në këtë rast Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë. Deklarata të tilla janë të papajtueshme me normat elementare të dialogut diplomatik dhe politik, si dhe me parimet e fqinjësisë së mirë, të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut pretendon publikisht se i ndan, por në praktikë luan rëndë me to.
Përdorimi i vazhdueshëm i kualifikimeve vulgare për përfaqësuesit e shtetit bullgar jo vetëm që minon besimin tashmë të brishtë midis dy palëve tona, por gjithashtu vë në pikëpyetje angazhimin autentik të udhëheqjes politike në Maqedoni ndaj Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017, si dhe dëshirën e deklaruar për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian – një proces që kërkon respekt të ndërsjellë, përgjegjësi dhe pjekuri politike.
Bullgaria nuk do të tolerojë gjuhën e urrejtjes, sulmet personale dhe shtypjen e synuar të marrëdhënieve midis vendeve. Deklarata të tilla nga autoritetet zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut krijojnë një klimë armiqësie dhe nuk demonstrojnë vullnetin politik për t’u kthyer për një bisedë normale, respektuese dhe konstruktive”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Si arriti kulmin retorika e ashpër politike e aspak diplomatike?
Ministri i Jashtëm bullgar Georgi Georgiev në një paraqitjeje televizive në televizionin bullgar BTV theksoi se duke hequr “gjuhën dhe identitetin maqedonas” nga raporti mbi Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian (PE), ata arritën të parandalonin përdorimin e PE për propagandën politike të brendshme të, siç e quajti ai, kryeministrit “maqedonoverior”.
Pas qëndrimeve të kryediplomatit bullgar Georgiev u deklarua edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Thashë që ai djalë u dërgua për të tërhequr vëmendjen time. Nuk mendoj se duhet t’i japim mundësinë dhe ju bëj thirrje juve, mediave. Lëreni atë djalë aty. Kjo është një qeveri që dikush tjetër e drejton në sfond, ata njerëz duhet të punojnë. Dhe i thanë, i dhanë një detyrë, hajde tani, ngacmojeni. Është njësoj si një mi që ngacmon një luan”, tha Mickoski.
Për gjuhën e Georgievit ndaj Shkupit zyrtar MPJ e Maqedonisë së Veriut e thirri në konsultim dhe i shprehu protestë zyrtare ambasadorit bullgar në vend.
“Protesta zyrtare iu përcoll ambasadorit të Republikës së Bullgarisë në vend dhe u vu në dukje papërshtatshmëria e një diskursi të tillë publik nga një zyrtar i lartë i qeverisë bullgare”, thuhet në reagimin e MPJ-së ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm bullgar Georg Georgiev.
Ministria e Punëve të Jashtme dënoi deklaratat fyese të bëra ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut nga Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë gjatë paraqitjes së sotme si i ftuar në programin e mëngjesit të televizionit bullgar BTV.
“Deklarata të tilla, të cilat përdorin gjuhë të papërshtatshme dhe nënçmojnë përfaqësuesit e një shteti sovran, përfaqësojnë një shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe komunikimit diplomatik. Ato nuk kontribuojnë në përparimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe janë në kundërshtim me frymën e dialogut konstruktiv dhe respektit të ndërsjellë që duhet të udhëheqë bashkëpunimin midis dy vendeve”, thuhet tutje në reagimin e ministrisë.
Diplomacia e Maqedonisë së Veriut pret që Sofja zyrtare të lëshojë një kërkimfalje të përshtatshme në mënyrë që të ruhet komunikimi dypalësh dinjitoz dhe parimor.
Ndryshe, heqja e termave “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga Raporti për progresin e RMV-së ka ashpërsuar edhe më tepër gjuhën politike mes Sofjes dhe Shkupit.
Parlamenti Europian ka miratuar raportin e parë të progresit mbi Maqedoninë e Veriut për vitin 2023 dhe 2024. Në debatin e zhvilluar në PE, eurodeputetët bullgarë akuzuan se politikanët në Shkup po sabotojnë procesin e integrimit evropian.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.