Maqedonia e Veriut me flamur të “ri” për pavarësi, 12 në vend të 8 rrezeve
Dielli me tetë rreze në flamurin maqedonas, gjatë festimit të mbrëmshëm me rastin e shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së vendit, u zëvendësua me flamur me 12 rreze. Kjo hapi debat në opinionin publik dhe reagime nga LSDM dhe VMRO, transmeton Portalb.mk.
Në një pjesë të skenografisë dhe elementeve vizuale u paraqit një simbol që ngjan me flamurin shtetëror maqedonas, por dielli kishte më shumë rreze se flamuri zyrtar. Pamjet dhe fotografitë nga ngjarja, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë të RTM-së dhe në YouTube.
“Në festimin zyrtar shtetëror për 35 vjetorin e pavarësisë, të paguar me shuma të mëdha parash nga qytetarët, pushteti i Mickoskit e ngatërroi flamurin maqedonas. E turpshme dhe poshtëruese. Qeveria e Mickoskit shpenzon miliona euro nga paratë e popullit, por nuk arriti as ta bëjë siç duhet flamurin maqedonas. Patriotët e tenderëve e treguan fytyrën e tyre. Përsëri. E ngatërruan flamurin maqedonas”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.
Reaguan edhe nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, ata thonë se LSMD-së dhe liderit të saj Venko Filipçes u pengon pavarësia dhe tani janë kundër flamurit maqedonas, të cilin e ndryshuan dy herë.
“LSDM-së tani i pengon edhe dielli maqedonas dhe instalacioni artistik, ku flamuri me diellin me shumë rreze shndërrohet në flamurin maqedonas me tetë rreze. Partia që e ndryshoi flamurin dy herë, një herë emrin, bankënotat, Kushtetutën, është e fundit që mund të flasë për poshtërimin e shtetit. Partia që e fshiu ASNOM-in nga Kushtetuta, që thotë se Maqedonia ekziston që nga viti 1944 dhe se para kësaj kemi qenë bullgarë, është hipokrite të flasë për poshtërim”, thanë nga VMRO–DPMNE.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që flamuri përdoret me 12 rreze, në vend të 8 rrezeve që ka flamuri zyrtar.
Kujtojmë se në vitin 2021, VMRO-DPMNE-ja, atëherë në opozitë, e dënoi përzgjedhjen e logos për shënimin e 30-vjetorit të pavarësisë, duke e cilësuar si përdhosje të flamurit. Siç thuhej në njoftimin e atëhershëm të partisë, kjo vinte në pikëpyetje edhe rregullimin shoqëror dhe vazhdimësinë historike të shtetësisë maqedonase.
Festimi i mbrëmshëm në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër ishte ngjarja e parë e serisë së paraparë të aktiviteteve kushtuar jubileut të 35-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Aktivitetet për pavarësinë zhvillohen nën moton “Fort shkëlqeu dita”, me ngjarje dhe koncerte në 11 qytete.
Organizatorët kanë paralajmëruar program të pasur dhe emra të mëdhenj të muzikës në prag të 8 Shtatorit, ndërsa përmbyllja do të jetë performanca e David Guettas në stadiumin e qytetit në Shkup.
Më 8 shtator 1991, në Republikën e Maqedonisë u zhvillua referendum ku mbi 95% votuan për shtet të pavarur, pas të cilit u shpall Republika e pavarur e Maqedonisë, e cila deri atëherë ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.