Qeveria e RMV-së i fsheh shpezimet e shfaqjeve të Guettas dhe Carreras, “për shkak të klauzolave”
Qeveria dhe “Avalon” kanë njoftuar yllin e dytë të muzikës botërore që do të performojë në festimet që shënojnë 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë, por se sa do të paguhet për David Guetta dhe Jose Carreras nga buxheti i shtetit do të bëhet e ditur vetëm pasi të jenë njoftuar të gjitha ngjarjet, transmeton Portalb.mk.
Sipas zëdhënëses së qeverisë Marija Miteva, qeveria nuk fsheh asgjë në lidhje me organizimin, por për shkak të disa klauzolave kontraktuale, ata nuk mund të njoftojnë shumat për momentin.
“Si qeveri, nuk jemi të detyruar. Nuk kemi asgjë për të fshehur në lidhje me organizimin, por do të na lejoni të përfundojmë me shpalljen e të gjitha ngjarjeve dhe pastaj do ta informojmë publikun për të gjitha detajet me dinjitet dhe konsistencë. Vlerësoj që askush prej nesh nuk dëshiron të hedhë njollë të zezë në organizimin e festimit të 35-vjetorit të pavarësisë, kështu që transparenca jonë do të mbetet siç ka qenë deri më tani. Ka disa klauzola kontraktuale për të cilat nuk jemi në gjendje të flasim tani, por na jepni kohë të njoftojmë të gjitha ngjarjet dhe ne menjëherë do ta informojmë publikun për të gjitha detajet”, tha Miteva.
Qeveria nuk e ka njoftuar buxhetin për festimin e 35-vjetorit të pavarësisë, as kush dhe si e ka vendosur se cili do të jetë programi dhe kush do ta zbatojë atë.
Carreras do të performojë në Sheshin Maqedonia në Shkup më 1 shtator së bashku me disa nga muzikantët më të famshëm të Maqedonisë dhe eventi do të jetë i hapur për publikun, ndërsa performanca e David Guetta-s në stadiumin Toshe Proeski më 8 shtator kërkoi regjistrim online, i cili kushtoi 35 denarë. Avalon njoftoi se eventi u shit për 12 orë, me 50.000 bileta të shitura.
“Prisni shumë surpriza të tjera nga ne, me përfshirjen e një numri të madh artistësh të Maqedonisë”, tha Miteva.
Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që Dita e Pavarësisë është festuar në stadiumin e Shkupit.
Në vitin 2012, në një mënyrë të ngjashme u organizua një koncert i yjeve të Maqedonisë dhe Ballkanit, ndërsa albumi “Zemra maqedonase rreh në 7/8” nga vëllezërit Tavitian u promovua simbolikisht. Ishte planifikuar që të merrnin pjesë 70.000 njerëz, dhe bileta kushtonte 20 denarë, para që më pas u dhuruan për kauza humanitare. Atëherë, ndryshe nga tani, u njoftua edhe shuma e saktë e ndarë për ngjarjen – 58 mijë euro për skenën, sistemin e zërit, ndriçimin, si dhe për materialin promovues.
Në fakt, faqja e internetit e prokurimit publik dëshmon se thirrjet u bënë edhe për festime të tjera shtetërore.
Deri në vitin 2023, ofertat kërkoheshin përmes këtij sistemi për organizimin e festimeve të 24 majit, Ditës së Kirilit dhe Metodit, 2 gushtit dhe disa të tjerave.
Të pyetur më herët Qeveria sërish nuk tregoi.