Maqedonia e Veriut fitoi pesë medalje në Olimpiadën Speciale Botërore

Përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut fituan gjithsej pesë medalje në Lojërat Olimpike Speciale Botërore, që u mbajtën nga 17 deri në 25 qershor në Berlin, Gjermani. Shtetin e përfaqësuan 13 atletë nga Olimpiada Speciale – Maqedonia e Veriut, të cilët garuan në pesë disiplina: basketboll, not, badminton, atletikë dhe ping-pong, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Medalje të bronztë fituan Mario Mickovski në disiplinën e notit, kategoria “100 metra me stil të lirë” dhe Jane Nikodinovski në badminton.

Medalje të argjendtë fituan Juliana Petrovska në atletikë, kategoria “kërcim në largësi nga vendi” dhe Stefan Trpkovski në not, kategoria “100 metra not shpine”.

Me medalje të artë u nderua Agron Hajredini në disiplinën e atletikës, kategoria “kërcim në largësi nga vendi”.

Nga Olimpiada Speciale e Maqedonisë së Veriut thonë se pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Speciale Botërore është tregues se shteti ynë ka potencial të madh. Atletët tjerë që morën pjesë, gjithashtu kanë arritur rezultate të shkëlqyeshme.

“Dëshmuam se mund të përballemi edhe me fuqitë më të mëdha botërore, të fitojmë medalje në skenën botërore. Jemi të kënaqur që e kemi përfaqësuar me dinjitet shtetin e Maqedonisë së Veriut, jemi krenar që pesë herë flamuri i shtetit tonë është valëvitur në piedestalin e Berlinit – arritje kjo që nuk ndodh çdo ditë, aq më pak në ndonjë kategori tjetër garuese”, thanë nga Olimpiada Speciale – Maqedonia e Veriut.

Lojërat Olimpike Speciale Botërore kanë për qëllim bashkimin e kulturave dhe nacionaliteteve të ndryshme në një vend, duke kontribuuar në rritjen e nivelit të inkluzivitetit nëpërmjet sportit.

Këtë vit, në këto lojëra morën pjesë mbi 190 shtete me gjithsej 7 000 përfaqësues, të mbështetur nga mbi 3 000 trajnues dhe 20 000 vullnetarë. Atletët garuan në 26 disiplina të ndryshme. Gjatë realizimit të këtij manifestimi, përpos pjesëmarrjes në gara, atletët patën mundësinë të afrohen njëri me tjetrin, të njihen me një numër të madh njerëzish nga mbarë bota, por dhe rëndësinë e “dorës së zgjatur” me përfshirje aktive në sfera të ndryshme të shoqërisë, si sporti, për të nxitur zhvillimin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale.