Lehona që ka kërcyer nga kati i parë i Klinikës së Gjinekologjisë është në gjendje të rëndë shëndetësore

Një paciente 39-vjeçare e cila para disa ditësh ka lindur një foshnje në Klinikën e Gjinekologjisë, ndërkaq tre ditë pas lindjes ka kërcyer nga kati i parë i ndërtesës në tentim për t’u vetëvrarë, sipas drejtoreshës së Klinikës së Gjinekologjisë, Viktorija Jovanovska, është në gjendje të rëndë shëndetësore, njofton Portalb.mk.

“Foshnja është e para që ka lindur. Nuk mund të them nëse ka pasur histori të problemeve psikologjike. Këtu nuk ka pasur probleme të veçanta. Nuk ka dashur t’í japë gji foshnjës, por kjo nuk ka ndodhur për herë të parë te ne. Bëhet fjalë për shtatzëni të dëshiruar”, sqaroi drejtoresha.

Ajo informoi se pas ngjarjes ka biseduar me drejtorin e Klinikës së Psikiatrisë, me të cilin janë marrë vesh që të vijë një herë në javë një psikiatër që të bisedojë me nënat dhe të shohë se si e kanë gjendjen.

“Të gjithë neve na duhet psikiatër, jo vetëm pacienteve që lindin”, tha drejtoresha.

Drejtori organizativ i Gjinekologjisë, dr. Jeton Shaqiri, informoi se pacientja 39-vjeçare është pranuar në Klinikë më 28 qershor në ora 21:26 dhe për shkak gjakderdhjes ka lindur në javën e 36-të, në Klinikë.

Klinika kompetente informoi se në nivel botëror 1 në 10 lehona kanë çrregullim psikologjik.