Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e stërvitjes ushtarake “Reagim i shpejtë 2025”
Nga 26 maji deri më 9 qershor të këtij viti, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e stërvitjes ushtarake “Reagim i Shpejtë 2025”, e cila synon të testojë aftësinë e NATO-s për t’iu përgjigjur kërcënimeve ndaj sigurisë, përfshirë sulmet kibernetike. Mbi 2,000 ushtarë nga vendi, Shtetet e Bashkuara, Mali i Zi, Kosova, Austria, Greqia, Shqipëria, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar do të marrin pjesë në stërvitje, transmeton Portalb.mk.
Ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Ageler, tha se “Reagim i Shpejtë 2025” është provë e partneritetit të ngushtë dhe në rritje midis Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara dhe një shembull i sigurimit të paqes duke forcuar gatishmërinë dhe mbrojtjen kolektive të NATO-s.
“Përmes trajnimeve të përbashkëta, angazhimit të komunitetit dhe bashkëpunimit me aleatët tanë, ne forcojmë angazhimin tonë kolektiv për paqe dhe siguri. Këto ushtrime rrisin gatishmërinë ushtarake dhe i afrojnë komunitetet tona më shumë. Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të forcojnë partneritetin e tyre në mbrojtje, arsim, sipërmarrje dhe shoqëri civile, duke mbështetur zhvillimin institucional dhe aftësitë e sigurisë së Maqedonisë së Veriut. Vendet mbeten të përkushtuara për të zgjeruar bashkëpunimin në energji, mbrojtje, tregti dhe shkëmbim kulturor, duke siguruar prosperitet dhe siguri afatgjatë”, thuhet në komtesën e ambasadës së SHBA-së në Shkup.
“Reagimi i Shpejtë 2025” përkon me 32-vjetorin e Programit të shteteve partnere midis Gardës Kombëtare të Vermontit dhe Maqedonisë së Veriut, nën kujdesin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së.
Në kuadër të ngjarjeve, orkestra ushtarake e Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Vermontit do t’i bashkohet orkestrës ushtarake të Maqedonisë së Veriut më 23 maj nga ora 11:00 deri në 12:00 për një aktivitet me nxënës nga shkolla e mesme e muzikës në Kazermën Goce Dellçev në Shkup, më 24 maj nga ora 13:00 deri në 14:00. në një koncert në Manastir në Sheshin e Qytetit “Magnolia”, më 25 maj nga ora 12:00 deri në orën 13:00 në një koncert në Parkun e Frankofonisë në Shkup, dhe më 26 maj nga ora 11:00 deri në orën 12:00 në një koncert në ceremoninë e hapjes së “Reagim i Shpejtë 2025” në Kampin “Strella” në Krivollak.
Më 1 qershor, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, do të ketë një ekspozitë me armë, automjete, pajisje ngjitjeje, robotë për zbulimin e minave, pajisje taktike, dronë dhe lojëra në natyrë në sheshin e qytetit në Kavadar me pjesëmarrje nga Shqipëria, Austria, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara, dhe më 2 qershor, do të mbahet një ngjarje shumëkombëshe live, një ditë me media dhe mysafirë të lartë në Krivolak, kur do të realizohet stërvitja “Batalioni i Këmbësorisë së Përforcuar në Sulm”.
Maqedonia e Veriut ka qenë nikoqire e kësaj stërvitje ushtarake edhe në vitin 2023. Stërvitja “Immediate Response 23 (Reagimi i shpejtë)” është pjesë e serisë së stërvitjeve “DEFENDER EUROPE 23” të organizuar nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë.