Emigrimi do ta ulë rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut, FMN paralajmëroi se nevojiten reforma për të rritur produktivitetit
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se emigrimi dhe rënia e popullsisë do të ulin rritjen potenciale ekonomike të Maqedonisë me rreth 0.5% në vit. Raporti i fundit, “Dinamika e Popullsisë, Integrimi i Tregut të Punës dhe Migrimi”, i botuar në maj 2025, thotë se popullsia e vendit ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë dy dekadave të fundit, një trend që pritet të vazhdojë në të ardhmen, kryesisht për shkak të emigrimit, transmeton Portalb.mk.
Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, popullsia e Maqedonisë së Veriut mund të bjerë për rreth 4% deri në vitin 2030, ndërsa Enti Shtetëror i Statistikave parashikon një skenar edhe më pesimist me një rënie prej gati 9% gjatë të njëjtës periudhë.
Raporti i FMN-së tregon se integrimi i mëtejshëm në Bashkimin Evropian mbart rrezikun e rritjes së emigrimit, gjë që do të përkeqësonte më tej trendet demografike. Megjithatë, analizat tregojnë se efektet negative të një rritjeje të mundshme të emigrimit mund të zbuten përmes rritjes së produktivitetit.
“Reformat strukturore për të rritur produktivitetin, politikat aktive të punësimit, mbështetja për bizneset e reja dhe rritja e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore mund të rrisin prodhimin dhe të ndihmojnë në kompensimin e ndikimit negativ të migrimit”, thotë raporti.
FMN-ja përdor një model strukturor të tregut evropian të punës, i cili tregon se pa rritje të produktivitetit, kostot e reduktuara të migrimit (si rezultat i anëtarësimit në BE) do të çonin në rënie të pagave, pjesëmarrje më të ulët në tregun e punës dhe papunësi më të lartë. Anasjelltas, rritja e produktivitetit rrit si pagat ashtu edhe fitimet, gjë që i nxit punëtorët vendas të qëndrojnë në vend dhe tërheq punëtorë të rinj.
Raporti gjithashtu thekson potencialin e madh për zbutjen e trendeve negative demografike duke zvogëluar hendekun gjinor në tregun e punës. Hendeku gjinor në pjesëmarrjen në tregun e punës në Maqedoni është rreth 21 pikë përqindjeje, që është dukshëm më i lartë se mesatarja e BE-së prej 8 pikësh përqindjeje. Sipas llogaritjeve të FMN-së, mbyllja e plotë e hendekut gjinor mund të rrisë prodhimin potencial me 14.4%. Mbyllja vetëm e një të tretës së hendekut me BE-në do të ishte më se e mjaftueshme për të kompensuar humbjen e parashikuar të popullsisë deri në vitin 2030.
Si zgjidhje të mundshme, FMN-ja sugjeron politika që do të rrisnin qasjen në kujdes cilësor për fëmijët, do të përmirësonin investimet në arsimin e grave dhe do të hiqnin barrierat tatimore për familjet me të ardhura më të larta.
Kujtomë se, sipas hulumtimit të Institutit për Hulumtime Politike- Shkup, çdo i treti ose 35,2 përqind mendojnë që të shpërngulen nga Maqedonia e Veriut. Nga gjetjet e hulumtimit, interes më të madh që të shpërngulen nga shteti kanë grupmoshat nga 30 deri në 50 vjeç. Ndërkaq, analiza e Portalb.mk në vitin 2024 tregoi se të rinjtë largohen në masë të madhe nga vendi për jetesë më të mirë, ndërsa shumë të rinj të tjerë kanë në plan të braktisin vendin. Papunësia, korrupsioni, politizimi, nepotizmi dhe standardi i ulët i jetesës janë vetëm disa nga arsyet që shtyjnë të rinjtë të marrin këtë vendim.