Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, thonë SHBA-të

Inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kishin marrë ndonjë garanci nga partnerët bullgarë se nuk do të ketë veto të e re për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut pas ndryshimeve kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një debat të Kongresit për rajonin, muajin e kaluar tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara me qeverinë e re bullgare për të siguruar që të mos ketë kërkesa të reja pasi vendi të përmbushë detyrimet e tij sipas marrëveshjeve ekzistuese.

“SHBA-ja mbështet fuqishëm integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më prosperues. Ne inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të përmbushur marrëveshjet e mëparshme dhe për të mbështetur anëtarësimin e përshpejtuar të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Më 18 gusht është caktuar seanca për fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, pra për votimin e nevojës për ndryshimet në Kushtetutë.

“Për të vazhduar aspiratat e saj për në BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është zotuar të miratojë ndryshime kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare. Ne e mbështesim fuqimisht këtë hap të vështirë, por të domosdoshëm”, i tha Escobar Kongresit së fundmi.

Për momentin, nuk ka konsensus mes qeverisë dhe opozitës për ndryshimet që do t’i lejojnë bullgarët të hyjnë në Kushtetutë, kusht për hapjen e kapitujve të negociatave.

Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase në maj, tha se duke mbështetur ndryshimet kushtetuese, opozita mbështet rrugën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut, jo kryeministrin.

“Nuk po i kërkojmë opozitës të mbështesë kryeministrin. Kërkojmë nga opozita të mbështesë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Kjo është marrëveshja më e mirë që kemi marrë. Ai është i arsyeshëm, mendoj tani për tani, dhe ne duhet të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, shpresoj që të gjitha palët e spektrit politik të mbështesin ndryshimet e nevojshme në mënyrë që të mund të ecim përpara në avancimin e kandidaturës së Maqedonisë së Veriut”.

Presidenti bullgar Rumen Radev, nga ana tjetër, tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është vetëm “kusht paraprak për fillimin e negociatave për anëtarësim” dhe se nuk shter kushtet që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.