Nesër ushtarët nga RMV-ja nisen për në Slloveni, njoftoi Petrovska

Njëqind ushtarë nga Maqedonia e Veriut nesër do të nisen për në Slloveni që të ndihmojnë në lidhje me vërshimet dhe sanimin e dëmeve të ndodhura atje. Kështu njoftoi sot ministrja e Mbrojtjes – Sllavjanka Petrovska, transmeton Portalb.mk.

Ministrja shprehi keqardhje pasi siç tha ajo, kjo tragjedi që ndodhi në Slloveni është shfrytëzuar për spekulime të ndryshme, duke përhapur gënjeshtra dhe të pavërteta në opinionin maqedonas, se vendi është vonë me ndihmën.

“Ne nuk donim të bënim marketing nga kjo, më lejoni të raportoj se si shkoi. Që në momentin e parë kur ndodhi fatkeqësia në Slloveni dhe përmbytjet, rashë në kontakt me kolegun tim, kryeministrin, presidentin e shtetit dhe të gjithë ministrat dhe i dhamë mbështetjen tonë. Nga ana e tyre na u tha se sapo të kenë bërë analizat që u nevojiten do të dorëzohen kërkesat dhe janë dorëzuar dje. Ne kemi reaguar menjëherë dje. Presidenti i vendit, në koordinim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe mua, sot në seancën e Qeverisë do të marrë vendim që të dërgohen njëqind ushtarë të përbërjeve të ndryshme, të cilët do t’u përgjigjen nevojave të ushtrisë sllovene” deklaroi Petrovska.

Petrovska ndër të tjera tha se për momentin kjo është kërkuar, ndërsa mjetet tjera teknike që janë kërkuar si mbështetje materiale teknike, por për momentin shteti nuk është në gjendje t’i përgjigjet kësaj.

Ministrja theksoi se ushtarët janë gati të nisen sot, ndërkaq do t’i vizitojë pasdite kurse ushtarët pritet të nisen nesër herët në mëngjes, ndërsa sot në seancën e Qeverisë do të merret vendimi si pjesë formale e procedurës.

Përndryshe, Sllovenia që nga e enjtja e javës së kaluar përballet me pasojat e vërshimeve që u shkaktuan nga reshjet e shiut. Mijëra qytetarë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në të gjithë Slloveninë veriperëndimore dhe qendrore, ndërsa autoritet përpiqen të përmirësojnë gjendjen në teren dhe të sanojnë dëmet. Kryeministri slloven njoftoi se dëmet pritet të arrijnë në disa miliardë euro. Ndërkaq në ndihmë kanë dalë nga Bashkimi Evropian. Sllovenia ka kërkuar gjithashtu helikopterë, trupa dhe ura nga aleanca ushtarake e NATO-s. Kroacia dhe Hungaria ndihmuan me helikopterë dhe Gjermania me një ekip të mbrojtjes civile.