MPB: Për shkak të zjarrit është ndërprerë trafiku drejt pikës kufitare të Bllacës
Ministria e Brendshme përmes një kumtese për media njoftoi se për shkak të rindezjes së zjarrit pranë Bllacës, trafiku në rrugën kufitare Shkup-Bllacë është ndërprerë plotësisht në të dyja drejtimet, dhe është mbyllur edhe pika kufitare e Bllacës, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Brendshme, në koordinim me institucionet e tjera kompetente, po merr masa për shuarjen e zjarrit.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të mos udhëtojnë drejt rrugës kufitare të Bllacës derisa të shuhet zjarri dhe të normalizohet trafiku, për të cilën do ta informojmë publikun përkatësisht”, porosisin nga MPB.
Deri në ora 7 e mëngjesit të sotëm, në vend janë regjistruar gjithsej 31 zjarre, shtatë prej të cilave janë aktive, sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK). Dy zjarre janë lokalizuar, dhe 22 janë shuar.
Kujtojmë se për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve, Qeveria dje miratoi një vendim në një seancë me të cilin shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh.