Maqedonia dhe India kanë shumë për t’i ofruar njëra-tjetrës si vende, thanë Siljanovska-Davkova dhe Murmu
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, sot në Shkup priti me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake presidenten e Indisë, Droupadi Murmu, duke shënuar fillimin zyrtar të vizitës së parë të një presidenti indian në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Në ceremoninë solemne të mbajtur në Kabinetin e Presidentit u interpretuan himnet e të dyja shteteve, pas së cilës dy presidentet përshëndetën gardën e nderit dhe prezantuan anëtarët e delegacioneve maqedonase dhe indiane.
Pas ceremonisë së pritjes, Siljanovska-Davkova dhe Murmu zhvilluan një takim kokë më kokë, ndërsa më pas u mbajt një takim plenar i delegacioneve të të dy vendeve. Bisedimet u përqendruan në marrëdhëniet politike dhe ekonomike, si dhe në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në arsim, shkencë, kulturë, turizëm, shëndetësi dhe transformim digjital.
Dy presidentet diskutuan edhe për zhvillimet aktuale globale, duke theksuar nevojën për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Dialogu politik dhe bashkëpunimi i intensifikuar ndërmjet institucioneve u vlerësuan si bazë për një dinamikë të re në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Indisë.
Siljanovska-Davkova e cilësoi vizitën si një hap të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo përmendi si ura historike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve trashëgiminë e Nënë Terezës dhe përvojën e përbashkët në kuadër të Lëvizjes së të Painkuadruarve.
Sipas presidentes maqedonase, pozita gjeostrategjike e Maqedonisë së Veriut, korridoret infrastrukturore dhe qasja në tregun evropian mund të jenë me interes për kompanitë dhe investitorët indianë. Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit.
Murmu e cilësoi vizitën e saj si një moment historik dhe shprehu gatishmëri për zhvillimin e një partneriteti më të gjerë ndërmjet dy vendeve. India e sheh Maqedoninë e Veriut si një vend me pozitë të favorshme për qasje në tregjet evropiane dhe me potencial për bashkëpunim në industrinë farmaceutike, teknologjinë informative, bujqësi, industrinë ushqimore dhe arsim.
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Indisë janë vendosur në shkurt të vitit 1995. India ishte ndër shtetet që mbështetën rezolutën për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa gjatë dekadave të fundit të dy vendet kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim ekonomik, diplomatik dhe institucional.
Në kuadër të vizitës, presidentja indiane vendosi kurorë me lule pranë varrit të Goce Dellçevit në kishën “Shën Spasi”.
Edhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, e priti në vizitë zyrtare Presidenten e Republikës së Indisë, Draupadi Murmu.
Në kuadër të vizitës në Kuvend, Presidentja Murmu u prit nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me të cilin zhvilloi takim tet-a-tet. Pas takimit, ajo nënshkroi Librin e Përshtypjeve të Kuvendit, ku shprehu kënaqësinë për mikpritjen dhe vlerësoi lidhjet historike, kulturore dhe miqësore ndërmjet dy popujve.
Ndër të tjera, Presidentja Draupadi Murmu iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve në një seancë plenare të Kuvendit. Në fjalimin e saj, ajo theksoi se demokracia është vlera që bashkon Indinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa parlamentet janë mbrojtëse të lirive të qytetarëve dhe pasqyra e ndërgjegjes kombëtare.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Indisë dhe Maqedonisë së Veriut, ajo u shpreh se: “Ne nuk e konsiderojmë Maqedoninë e Veriut si një vend të largët, por si një shtyllë të rëndësishme në ndërtimin e një të ardhmeje globale të qëndrueshme, multipolare dhe të begatë.”
Ajo foli edhe për lidhjet historike dhe kulturore ndërmjet dy popujve, duke veçuar figurën e Nënë Terezës, “vajzës më të famshme të Shkupit”, e cila e quajti Indinë shtëpinë e saj. Presidentja Murmu paralajmëroi se gjatë vizitës së saj do të bëjë homazhe për Nënë Terezën, ndërsa theksoi se do t’i dhurojë popullit të Maqedonisë së Veriut një bust të Mahatma Gandhit, duke nënvizuar se idealet e tij janë vlera që i bashkojnë të gjithë.
Ajo vuri në pah rëndësinë e diplomacisë parlamentare, forcimit të kontakteve ndërmjet dy vendeve dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën demokratike.
Duke iu referuar filozofisë së lashtë indiane “E gjithë bota është një familje”, Presidentja Murmu theksoi nevojën për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në një kohë kur bota përballet me sfida dhe ndarje të shumta.
Në Shkup do të mbahet edhe Forumi i Biznesit Maqedoni–Indi, ku do të mbajnë fjalim Siljanovska-Davkova dhe Murmu. Kompanive indiane do t’u prezantohen mundësitë investuese në Maqedoninë e Veriut, ndërsa forumi synon të krijojë kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.
Në ditën e dytë të vizitës, dy presidentet do të vizitojnë Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës dhe Muzeun e Qytetit të Shkupit, ku është paraparë ceremonia e zbulimit të bustit të Mahatma Gandit. Më pas ato do të udhëtojnë për në Ohër, ku do të vizitojnë kompleksin manastiror “Shën Naum”, si dhe disa kisha dhe lokalitete kulturore-historike në pjesën e vjetër të qytetit.
Murmu mbërriti në Shkup pas vizitës në Moldavi, në kuadër të turneut të saj evropian që përfshin edhe Rumaninë. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ajo u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Për shkak të lëvizjes së delegacioneve zyrtare, në pjesë të zonës qendrore të Shkupit është vendosur regjim i veçantë i komunikacionit. Policia u bëri thirrje qytetarëve t’i respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.