Manifestimi “Takimet Poetike të Karadakut” solli poetë nga mbarë viset shqiptare, çmimi “Jehona poetike” iu nda poetit Alfons Zeneli

Në Kumanovë u mbajt edicioni i 33-të me radhë i manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, transmeton Portalb.mk.

Sunaj Raimi Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” Kumanovë, në fjalën e tij përshëndeti të gjithë poetët të cilët ishin të pranishëm.

“Ky manifestim poetik përbën një nga shtyllat kryesore të identitetit kulturor dhe kombëtar të anës së Kumanovës dhe është një nga manifestimet e vetme në rajon e më gjerë që nuk ndalet asnjëherë”, tha Raimi.

Nga faqja zyrtare e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” bëjnë të ditur se me poezitë e tyre u paraqitën poetët: Alfons Zeneli-Tiranë, Majlinda Toma-Lezhë, Alketa Spahiu-Gjilan, Janaq Jano-Përmet, Ibadete Livoreka-Shkup, Sermet Sulejmani-Kumanovë, Albinë Idrizi-Gjilan, Agron Çalliku-Durrës, Ali Daci-Rozhajë, Safet Xhani-Përmet, Avni Spahiu-Preshevë, Adisa Ibrahimi-Shkup, Ali Qerimi-Shkup, Era Qerimi-Shkup, Daim Iljazi-Tetovë, Adem Abdullahu-Tetovë, Bajramali Selimi-Gostivar, Liber Emini-Kumanovë.

Foto nga manifestimi “Takimet Poetike të Karadakut”. Foto: Sunaj Raimi (Facebook)
Foto nga manifestimi “Takimet Poetike të Karadakut”. Foto: Sunaj Raimi (Facebook)

Juria ishte në përbërje: Lindita Ramushi, Selajdin Shabani dhe Bilall Maliqi, kishte vendosur që t’i ndaj tre çmimet kryesore të manifestimit.

Kështu, Çmimi “Jehona poetike” iu nda poetit Alfons Zeneli nga Tirana, Çmimi “Doruntina” iu nda poetes Alketa Spahiu nga Gjilani dhe Çmimi “Fadil Bekteshi” iu nda poetit kumanovar Sermet Sulejmani.

Një pjesë e rëndësishme e manifestimit ishin recitalet e aktorëve përmetarë Pandi Duka dhe Lazar Taçi. Ndërsa, u përurua edhe edicioni i fundit i revistës letrare kulturore-shkencore “Doruntina”, organ i klubit. Manifestimi “Takimet Poetike të Karadakut” përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Komunat e Kumanovës e Likovës dhe afaristë vendorë. Organizatori kishte paraparë që në shenjë falënderimi, plaketa mirënjohjeje të ndaj për kompanitë “TopDrajver”, “Ibro Shell” dhe “Sofra”.

Ky manifestim është një nga aktivitetet e para kulturore të shqiptarëve të kësaj ane pas përmbysjes së sistemit komunist, dhe lindi nga gjiri i krijuesve letrar kumanovarë në kujtim të 11 Marsit të demonstratave studentore të ’81-shit.