Tetova nesër pret edicionin e 15-të të Festivalit “Teuta”

Tetova nesër do të jetë pikëtakimi i zërave, melodive dhe kujtesës muzikore shqiptare. Këngët e vjetra qytetare, të cilat ndër breza kanë përcjellë histori dhe tradita, do të rikthehen në skenë përmes edicionit të 15-të të Festivalit të Këngës së Vjetër Qytetare “Teuta”, shkruan Portalb.mk.

Festivali do të mbahet më 26 shtator, duke filluar nga ora 19:00, në Qendrën e Kulturës – Tetovë, ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë një mbrëmje të veçantë kushtuar traditës, kulturës dhe trashëgimisë muzikore shqiptare.

Edicioni i sivjetmë sjell në Tetovë artistë dhe ansamble nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, duke bashkuar në një skenë interpretime të ndryshme të këngës së vjetër qytetare shqiptare.

Pjesë e programit do të jenë Lumturie Nonaj nga Shqipëria, e cila do të prezantohet me tingujt e lahutës, Kori i Grave “Teuta” nga Tetova, artistë pranë Qendrës së Artit “Vaçe Zela” nga Lushnja, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Qendra Kulturore “Haki Stërmilli” nga Peshkopia dhe Grupi “Rilindja” nga Gjakova.

Festivali “Teuta”, tashmë një aktivitet tradicional i jetës kulturore në Tetovë, vazhdon të krijojë një hapësirë ku artistë, kore dhe ansamble takohen përmes muzikës dhe trashëgimisë së përbashkët.

Hyrja në festival është pa pagesë.

Afishja e Festivalit të Këngës së Vjetër Qytetare “Teuta”. Foto: Qendra e Kulturës Tetovë (Facebook)
Afishja e Festivalit të Këngës së Vjetër Qytetare “Teuta”. Foto: Qendra e Kulturës Tetovë (Facebook)