Maliukevicius: Dezinformatat kanë për qëllim të përhapin haos, tension dhe ndarje

Procesi përmes të cilit njerëzit shkëmbejnë informacion është përgjegjës për përhapjen e dezinformatave, kështu që në vend të shkëmbimit të informacionit, qëllim bëhet përhapja e kaosit, tensionit dhe ndarjes. Këtë e theksoi d-r Nerijus Maliukevicius, studiues nga Lituania, nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike pranë Universitetit të Vilniusit, i cili sot mbajti një ligjëratë në Fakultetin Juridik “Justiniani I”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Dr. Nerijus Maliukevicius është një ekspert kryesor lituanez për mediat, dhe komunikimin gjatë krizave dhe atë strategjik, me fokus gjeopolitik në rolin e Rusisë dhe Bjellorusisë në këto çështje. Ai sot para të pranishmëve tha se kundërshtarët politikë dobësohen përmes dezinformatave dhe propagandës. Ai tha se është e rëndësishme të pyetemi se cili është mesazhi dhe pse tentohet që të dërgohet ai.

“Shpesh mendojmë se Rusia ose Kina tentojnë të na i ndryshojnë qëndrimet, por ajo që ata shpesh tentojnë ta bëjnë në Lituani, në shtetet balltike dhe ballkanike, është që të testojnë se cilat metoda funksionojnë,” tha Maliukevicius, duke përmendur si shembull lajmërimet e rreme për bomba nëpër shkolla.

Konkretisht për këto raste ai tha se ka gjasa që qëllimi të ketë qenë që të testohen sistemet e sigurisë së shteteve. Përveç Maqedonisë, lajmërime  të tilla kishte edhe në më shumë shtete, ndërsa në Lituani një e-mail i njëjtë me kërcënime është dërguar në më shumë se 490 adresa elektronike.

Ai numëroi disa raste të metodave të dezinformimit që i kanë vënë re në Lituani dhe më gjerë, ndërkohë që i veçoi blogjet dhe postimet nga persona joekzistent, si dhe postimet në rrjetet sociale me hashtagun më popullor të ditës, për të arritur deri tek një numër sa më i madh i njerëzve.

“Ka kanale të rreme, për të krijuar autorë të rremë, të cilët përcjellin mesazhe të rreme”, shtoi ai.

Maliukevicius tha se në Lituani ka një numër të madh blogjesh “wordpress” që ngjasojnë si media dhe që publikojnë tekste.

“Sofistikimi teknologjik i dezinformatave po rritet. Kush është komunikuesi? Cili është mesazhi? Cili është mediumi? Ne mund t’ia parashtrojmë vetes këto pyetje për të zbërthyer dezinformatën”, tha ai sa i përket identifikimit të dezinformatave.

Përveç shembujve më lartë, Maliukevicius shtoi se në disa raste dezinformata përhapet edhe përmes profileve të hakuara të politikanëve.

Kjo ngjarje u organizua nga Europe House në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian, Zyrën e Ambasadës së Republikës së Lituanisë në Maqedoninë e Veriut dhe Fakultetin Juridik “Justiniani I”.