Rritet numri i padive private kundër gazetarëve në RMV, kërcënim i ri për gazetarinë investigative

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut përmirësojnë mbrojtjen e gazetarëve duke i mundësuar prokurorisë të fillojë procedurë penale në emër të tyre, duke reduktuar barrën e ndjekjes private. Përveç kësaj, pasi shpifja dhe fyerja janë dekriminalizuar, numri i padive private kundër gazetarëve është rritur dhe paraqet kërcënim të ri për gazetarinë investigative. Këto padi publike njihen si Padi Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP), dhe kryesisht janë ngritur nga politikanë dhe figura publike, duke kërcënuar lirinë e medias dhe qasjen në informata thelbësore, transmeton Portalb.mk.

Këto ishin konkluzionet kryesore nga diskutimi tematik i sotëm me aktorët kryesorë nga industria e medias, përfaqësues nga institucionet përkatëse publike, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë në kuadër të programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës, “Horizontal Facility për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

Oleg Soldatov, shef i Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës në Shkup theksoi rëndësinë e promovimit të integritetit gazetaresk dhe lirisë së shprehjes si vlera kyçe në një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

“Liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve janë shtyllat e çdo shoqërie demokratike. Duke mbështetur këto parime, krijohet një sektor mediatik i gjallë dhe i larmishëm, i cili është kyç për një diskurs publik të informuar. Së bashku po punojmë për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve, në mënyrë që ata të vazhdojnë të kryejnë rolin e tyre thelbësor për demokracinë”, tha Soldatov.

Alina Tatarenko, shefe e Departamentit për Bashkëpunim dhe Ngritjen e Kapaciteteve për temën e lirisë së shprehjes, kujtoi në fjalimin e saj se mediat e lira, të pavarura, pluraliste dhe të larmishme janë baza për një demokraci.

“Gazetarët dhe profesionistët e medias duhet të gëzojnë mbrojtje të plotë ligjore, siç thuhet në Parimet e Demokracisë të miratuara në Rejkjavík dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nëpërmjet diskutimit të sotëm, ne duam të rrisim ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballen gazetarët dhe të avokojmë për zbatimin e standardeve evropiane në nivel kombëtar”.

Në fjalën e tij, Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), tregoi se “betejat ligjore me të cilat përballen gazetarët në Maqedoninë e Veriut janë në rritje”.

“Ato nuk i referohen kërkesës për drejtësi, por përdoren si mjete për frikësimin dhe rraskapitjen mendore dhe financiare të gazetarëve. Padi të tilla, të njohura si SLAPP, na shqetësojnë shumë. Synimi ynë është të forcojmë një mjedis më të sigurt për gazetarinë, ku tu thuash të vërtetën të fuqishmëve nuk do të thotë ndëshkim por mbrojtje, duke siguruar kështu që frika nga pasojat juridike të mos çojë në autocensurë”, tha Sekullovski.

Ngjarja vazhdoi me diskutime të hapura ndërmjet palëve kryesore të interesit, ekspertëve të medias dhe profesionistëve të medias, të cilët diskutuan për përdorimin në rritje të padive SLAPP në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht, por edhe në Evropë në përgjithësi.

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut konsiderohen si hap pozitiv përpara drejt mbrojtjes më të mirë të gazetarëve, në mënyrë që prokuroria të marrë të drejtën për të filluar procedurë penale në emër të tyre, duke i liruar ata nga barra për fillimin e procedurës penale private. Por sfidat mbeten, veçanërisht me rritjen e padive SLAPP në procedurat civile. Ato zakonisht iniciohen nga politikanë, biznesmenë dhe figura publike dhe shërbejnë për të mbytur gazetarinë përmes presioneve financiare dhe ligjore.

“Paditë SLAPP jo vetëm që zhvlerësojnë punën gazetareske, por paraqesin edhe rrezik për censurimin e informacionit thelbësor publik, duke cenuar kështu të drejtën e qytetarëve për t’u informuar”, përfunduan pjesëmarrësit.

Pjesëmarrësit u ndalën në iniciativën për prezantimin e një Plani Kombëtar të Veprimit për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, ndërsa theksuan rëndësinë e një partneriteti të forcuar me shoqërinë civile për të promovuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Në diskutimin tematik u theksua edhe fushata e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve, nismë që synon të promovojë lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna, kërcënimet dhe ngacmimet gjatë kryerjes së detyrës.