Mali i Zi ka mbyllur një kapitull tjetër të negociatave me BE-në, Marta Kos tha se vendi është më i përparuari në këtë proces
Në Konferencën Ndërqeveritare të djeshme me BE-në në Bruksel, Mali i Zi mbylli përkohësisht Kapitullin 21 të negociatave, i cili ka të bëjë me Rrjetet trans-evropiane. Kjo e çon numrin e kapitujve të mbyllur në 14 nga 33, transmeton Portalb.mk.
Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, tha se Mali i Zi është më i përparuari në procesin e pranimit në BE dhe se puna dhe angazhimi i tij i palodhur do të shpërblehen. Ajo tregoi se është e bindur se me vullnet dhe angazhim të fortë politik, Mali i Zi do të vazhdojë me një ritëm të shkëlqyer.
“Le të mos ketë konfuzion, miqtë e mi të dashur në Mal të Zi, po mbyllim Kapitullin 21 të Rrjeteve Trans-Evropiane. Urime të gjithëve në Mal të Zi. Komisioni Evropian ju mbështet plotësisht në ruajtjen e këtij momenti”, tha Kos në një konferencë për shtyp.
Kos shtoi se vendi duhet të forcojë sundimin e ligjit, të punojë për të forcuar një gjyqësor të pavarur dhe profesional dhe të përafrojë politikën e tij të vizave me BE-në.
Kryeministri malazez Milojko Spajiq vuri në dukje se i katërmbëdhjeti nga 33 kapitujt në negociatat midis Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian është mbyllur, duke e sjellë vendin më afër integrimit të plotë me Unionin. Ai shtoi se mbyllja e Kapitullit 21 krijon kushte për përmirësimin e zhvillimit të sistemeve të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit në përputhje me standardet evropiane.
“Infrastruktura do të thotë lidhja e njerëzve, ekonomisë, mundësive dhe ideve. Në këtë kuptim, hapi i sotëm përfaqëson shumë më tepër sesa thjesht lidhshmëri, është një shenjë se Mali i Zi dhe qytetarët e tij po integrohen gjithnjë e më shumë në strukturën e Bashkimit Evropian”, tha Spajiq.
Pas mbylljes së këtij kapitulli, Malit të Zi i kanë mbetur ende 19 nga 33 kapituj për të përfunduar procesin e pranimit. Kos theksoi se pret angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë aktorët politikë, duke shtuar se me vullnet të fortë politik, vendi mund të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Ajo gjithashtu theksoi se janë të nevojshme forcimi i sundimit të ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe harmonizimi i politikës së vizave me BE-në.