“Gjatë përleshjes së kasapëve, mbajtja anë e deles nuk e ndryshon fatin e saj”.
fjalë e urtë sumeriane
1988. Kohëra të turbullta. Furtuna politike në Ballkan. Vitet e fundit të një shteti dhe shoqërie të madhe e “me reputacion botëror”. RSFJ (Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë), pas vdekjes së Jozhës (Titos) po jepte frymët e fundit. Pasiguri gjithandej. Nacionalizmat po zgurdullonin sytë dhe ia vinin dinamitin bashkëjetesës mes “kombeve dhe kombësive”. Nga njëra anë kombet shtetformuese dhe sovranitetbartëse dhe nga ana tjetër, kombet e dytësuara, të margjinalizuara. Të parat më të sigurta, të dytat, ku bënin pjesë edhe shqiptarët të vëna në ankth. Gjah shtrigash. Përplasje politike dhe sociale, nga sporti deri në kuvend. Erë konflikti. Smajl alias Malë shkupjanit i erdhi letra për të kryer shërbimin ushtarak të domosdoshëm. Dhe pas kontrolleve psiko-fizike, e caktuan në sektorin e marinarisë, në flotën detare ushtarake, JRM (Marina Luftarake Jugosllave). Destinacioni: një qytezë kroate në veri.
Nisi aventura edhe e një “fajtori për gjithçka” në shoqërinë e brishtë jugosllave. Nga njëra anë psikologjia e ndarjes nga familja për herë të parë, nga ana tjetër shikimet vëngër dhe me rezervë të të gjithë joshqiptarëve. Ditën e dhjetë mësoi se s’guxonin të tuboheshin më shumë se tre shqiptarë në një vend, në asnjë mënyrë. Arsyeja: mundësia për veprimtari irredentiste-separatiste. Frekuentimi: nga kazerma, baza detare në mjetet lundruese, anijet patrulluese. Kishte ditë kur kënaqej mbi palubë, duke u larë në Adriatikun e kaltër, por gjithnjë ndjehej si i huaj në ushtrinë të cilës duhej t’ia falte një vit të rinisë së vet. Në dhomë me malazezin Mirza, që Mala e konsideronte të afërt edhe për nga uniforma, si kolegë, si ushtar me të cilin duhej të ndante të mirën dhe të keqen, dhe e dyta: në bazë të ndjenjës fetare. “Pozdrav! Merhaba” – i drejtohej Mala me mirësjellje, i buzëqeshte, e ngacmonte, por kot. As ky s’dallonte shumë nga të tjerët, në trajtim, ndonëse e qeraste me gurabijet e nënës, me arrat e Mbilugut të katundit të vet, me çajin rus që e bënte vetë me mjeshtëri. Ishte e qartë se malazezi ia mbante anën gjakatarit, palës që më vonë do të bënte gjenocidin e njëmbëdhjetë ndaj boshnjakëve, ndaj bashkëkombasve të tij. Ia kishin larë trurin me vëllazërim-bashkimin, me idealizmin e socializmit, me jugosllavizmin nga i cili vështirë shkëputej.
Dhe kaluan disa muaj. I plasi filmi Malës: do ta pyes këtë njeri pse është kaq i akullt me mua. “Jo, mos e pyet”, “Po, pyete” – i thoshte zëri i brendshëm. Dhe vendosi: “Mirza, çfarë është problemi, pse ti nuk ndjehesh i lirë me mua? Mos vallë kam bërë ndonjë hata ndaj teje, njerëz jemi, gabimtarë. Unë një hap drejt teje, ti një hap mbrapa, e më larg. S’është punë e mirë kjo. Ma shpjego këtë qëndrim të lutem.” Bashkëushtari u shtang. Një skuqje gjaku në fytyrë dhe pika të lotit për mollëzash. Iu hodh Malës ta përqafonte. I ra kapela detare në tokë. U ul, e mori dhe sërish e gushi shqiptarin 24-vjeçar. Dhe ia nisi rrëfimit, arsyetimit: “Janë dy arsye të këtij hendeku mes nesh: e para, establishmenti ushtarak më ka dhënë detyrën që të ndjek çdo frymëmarrje tënden, andaj s’kishte mundësi të tregoja afërsi ndaj teje; e dyta, babai im i ndjerë, komunist i rryer, më ka lënë amanetin ‘Ruaju shqiptarëve’. Por paskam qenë shumë gabim, ti me mua sillesh përtej vëllait, s’kam takuar deri më sot njeri më të sinqertë se ti. Gjithçka ndan me mua, njeri në plotkuptimin e fjalës. Të lutem, shkruaje këtë adresë dhe këtë numër të telefonit të shtëpisë.” (Mala ia shkroi edhe adresën e vet por meqë s’kishte telefon në shtëpi, ia dha të komshiut). /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.