Gzim Dervishi u kurorëzua me ‘Unazën e Inxhinierit 2025′: Ky brez nuk ka frikë të sfidojë rregullat e vjetra dhe të sjellë frymë të re
Gzim Dervishi është shpallur këtë vit fitues i çmimit prestigjioz “Unaza e Inxhinierit 2025”, një vlerësim që nderon inxhinierët më të dalluar dhe inovatorë të Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje u mbajt për të 22-tën herë me radhë, nën patronazhin e presidentes të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në organizim të Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Licencuar dhe Institutit të Inxhinierisë së Maqedonisë. Këtë vit, mes 14 inxhinierëve më të suksesshëm të rinj në vend, u përzgjodh edhe Gzim Dervishi, i diplomuar në Universitetin e Tetovës. Me një rrugëtim profesional të ndërtuar mbi pasionin për teknologjinë dhe zgjidhjet kreative, ai ka arritur të spikasë me projektet e tij dhe të dëshmojë se përkushtimi dhe profesionalizmi sjellin rezultate konkrete. Në një intervistë për Portalb.mk, Dervishi ndau rrugëtimin e tij në këtë fushë.
Portalb.mk: Kur e kuptuat se inxhinieria nuk ishte vetëm një profesion, por rruga juaj personale për të ndikuar në botë?
Gzim Dervishi: E kuptova që inxhinieria nuk është thjesht një profesion, por një mision, kur pashë se idetë e mia mund të marrin formë dhe të sjellin zgjidhje konkrete për probleme reale. Ishte momenti kur kuptova që me punën time mund të ndikoj jo vetëm tek e ardhmja ime, por tek komuniteti dhe shoqëria.
Portalb.mk: Nga momenti i parë deri te fitimi i ‘Unazës Inxhinierike 2025’, si ka qenë ky udhëtim?
Gzim Dervishi: Ka qenë një udhëtim i mbushur me sfida, net pa gjumë dhe sakrifica, por edhe me shumë mësime dhe gëzime. Çdo hap ka qenë një shkallë drejt këtij çmimi, i cili përfaqëson jo vetëm arritjet e mia, por edhe besimin që të tjerët kanë pasur tek unë.
Portalb.mk: Çfarë e bën projektin tuaj fitues të veçantë dhe si pasqyron ai sfidat dhe potencialin e rinisë inxhinierike në RMV?
Gzim Dervishi: Veçantia e projektit tim qëndron te fakti se është i ndërtuar mbi ide praktike, inovative dhe mbi guximin për të menduar ndryshe. Ai reflekton energjinë, kreativitetin dhe këmbënguljen e rinisë sonë, që pavarësisht sfidave, nuk dorëzohet.
Portalb.mk: Cilat janë pengesat më të zakonshme që një i ri has kur përpiqet të afirmohet në fushën e inxhinierisë në RMV?
Gzim Dervishi: Pengesat më të mëdha janë mungesa e mundësive, skepticizmi ndaj të rinjve dhe shpesh mungesa e besimit institucional. Por unë besoj se këto pengesa nuk janë barriera përfundimtare-janë prova që na forcojnë.
Portalb.mk: Cila ka qenë sfida më e madhe me të cilën jeni përballur dhe si e keni tejkaluar?
Gzim Dervishi: Sfida më e madhe ka qenë të bindja veten se ia vlen të vazhdoj edhe kur rezultatet nuk vinin shpejt. E tejkalova duke e parë çdo dështim si një mësim dhe duke e kthyer çdo pengesë në motivim për të ecur përpara.
Portalb.mk: Çfarë kuptimi ka për ju ky vlerësim, është një pikë arritjeje apo një fillim i ri?
Gzim Dervishi: Për mua ky vlerësim është një pikë kthese-një shpërblim për rrugën e deritanishme, por mbi të gjitha një fillim i ri që më motivon të synoj edhe më lart.

Portalb.mk: Si ndiheni që përfaqësoni një brez të ri inxhinierësh që kërkojnë të sjellin ndryshim në një realitet jo gjithmonë mbështetës?
Gzim Dervishi: Ndjehem krenar dhe i përgjegjshëm. Ky brez nuk ka frikë të sfidojë rregullat e vjetra dhe të sjellë një frymë të re. Unë e shoh veten si pjesë të një force ndryshimi që e ka të ardhmen në duart e saj.
Portalb.mk: Sa hapësirë mendoni se u jepet të rinjve për të qenë inovativë dhe krijues në fushat teknike në RMV?
Gzim Dervishi: Hapësira ekziston, por është e kufizuar. Megjithatë, aty ku mungon hapësira, ne të rinjtë krijojmë vetë rrugën tonë. Dhe ky çmim është dëshmi se mund të arrijmë lartësi edhe kur duket e pamundur.
Portalb.mk: Nëse do të kishit një mundësi konkrete për të ndryshuar diçka në mënyrën si trajtohet inxhinieria dhe shkenca në vend, cila do të ishte ajo?
Gzim Dervishi: Do të investoja më shumë te të rinjtë, duke u dhënë mundësi për të eksperimentuar, për të krijuar dhe për të bërë gabime. Sepse vetëm në këtë mënyrë lind inovacioni i vërtetë.
Portalb.mk: Cili është vizioni juaj për të ardhmen dhe çfarë mesazhi keni për të rinjtë që ëndërrojnë të ndjekin një rrugë si e juaja?
Gzim Dervishi: Vizioni im është që përmes inxhinierisë të krijoj një ndikim pozitiv, duke e bërë teknologjinë më humane dhe më të dobishme për shoqërinë. Mesazhi im për të rinjtë është i thjeshtë: mos kini frikë të ëndërroni, punoni me pasion dhe mos u dorëzoni kurrë-sepse çdo ëndërr është e arritshme kur besoni në të.