Seriali “Adoleshenca” triumfoi në Emmy Awards 2025
Mbrëmë në Los Angelos është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve “Emmy”, organizuar çdo vit për të nderuar industrinë e kinematografisë dhe televizionit. Në një mbrëmje plot yje dhe pritje, Çmimet e 77-ta Emmy sollën në qendër të vëmendjes disa nga serialet dhe interpretimet më të spikatura të vitit, shkruan Portalb.mk.
Owen Cooper, 15 vjeç, i cili spikati me rolin e tij në miniserialin e Netflix-it “Adolescence”, bëhet fituesi më i ri i çmimit Emmy në edicionin e 77-të të çmimeve Primetime Emmy.
Drama psikologjike dominoi ceremoninë, duke fituar gjashtë trofe përfshirë çmimin për serialin më të mirë të kufizuar.
Vetëm 15 vjeç, Cooper portretizoi Jamie Miller në serinë shumë të vlerësuar nga kritika, e cila triumfoi në disa prej kategorive kryesore të çmimeve, duke përfshirë edhe çmime për bashkëaktorët e tij Stephen Graham dhe Erin Doherty, si dhe për regjisorin Philip Barantini.
Adolescence, që më herët këtë vit dominoi listat e më të shikuarave në Netflix, rrëfen historinë e një 13-vjeçari të arrestuar për vrasjen e një shoku klase. Seriali është përshëndetur jo vetëm për tematikën e ndjeshme që trajton, por edhe për realizimin teknik të veçantë, çdo episod është xhiruar në një plan të vetëm pa ndërprerje.
Cooper, i cili ishte vetëm 14 vjeç gjatë xhirimeve dhe nuk kishte aktruar kurrë më parë, arriti të lërë pas emra të mëdhenj të industrisë si Javier Bardem, Peter Sarsgaard si dhe bashkëaktorin e tij nga Adolescence, Ashley Walters.
Në fjalimin e tij të pranimit të çmimit, Cooper tha se para tre vitesh nuk ishte askushi.
“Është e pabesueshme. Kur nisa klasat e dramës disa vite më parë, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të isha në Shtetet e Bashkuara, e aq më pak në këtë skenë. Mendoj se kjo natë dëshmon që, nëse dëgjon, fokusohet dhe del nga zona jote e rehatisë, mund të arrish gjithçka në jetë”, ka thënë Cooper.
Seriali komik i Seth Rogen, “The Studio”, mori katër çmime Emmy të dielën, megjithëse seriali ka fituar gjithsej 13 çmime në çmimet Primetime dhe Creative Art Emmy.
The Pitt mposhti mega-hitet si Severance dhe The White Lotus për të fituar çmimin për Dramën më të Mirë.
As Severance nuk u largua duarbosh, duke fituar dy çmime të mëdha për yjet Tramell Tillman dhe Britt Lower në edicionin e 77-të të çmimeve Primetime Emmy.
Sydney Sweeney, Pedro Pascal dhe Jenna Ortega ishin ndër emrat e mëdhenj në tapetin e kuq.
Ceremonia “Emmy Awards”, mblodhi yjet më të mëdhenj të televizionit dhe platformave streaming në tapetin e kuq. Komiku Nate Bargatze do të jetë prezantuesi i kësaj edicioni, duke sjellë humor dhe energji në Teatrin Peacock në Los Angeles.