Mijëra persona besohet se kanë vdekur nga tërmeti në Afganistan

Përpjekjet e shpëtimit kanë vazhduar më 8 tetor në perëndim të Afganistanit, një ditë pas një serie të tërmeteve të fuqishme që shkaktuan dëme të mëdha dhe vranë deri në 2.000 persona.

Kjo po konsiderohet si fatkeqësia më e madhe natyrore që ka goditur Afganistanin në vitet e fundit, transmeton REL.

Numri i viktimave pas tërmetit prej 6.3 shkallësh mbetet i paqartë, pasi ka vlerësime të ndryshme.

Në orët e vona të 7 tetorit, Kombet e Bashkuara thanë se sipas vlerësimeve paraprake, 320 persona kanë vdekur. Por, më pas thanë se numri i viktimave është ende duke u verifikuar.

Autoritetet lokale kanë thënë se 100 persona kanë vdekur dhe 500 janë lënduar.

Megjithatë, më 8 tetor një anëtar i Qeverisë së udhëhequr nga talibanët ka përditësuar shifrat sa i përket viktimave, duke thënë se tani numri ka arritur në 2.000.

Mullah Janan Sayeeq, zëdhënës në Ministrinë e Fatkeqësive, tha për agjencinë Reuters se 2.053 persona kanë vdekur, 9.240 janë lënduar dhe 1.329 shtëpi janë dëmtuar apo shkatërruar.

Epiqendra e tërmetit të parë ishte rreth 40 kilometra në veriperëndim të Heratit, qytet me afër 700.000 banorë. Tërmeti i parë u pasua edhe me tre pasgoditje të fuqishme.