Dihet që zero është një numër pa madhësi, përveç nëse përshkruan një politikan të papërgjegjshëm. Atëherë zero mund të jetë një madhësi që çdokush e shef.
Në librin e tij “Rruga drejt Lirisë”, Joseph Stiglitz, një ish-profesor i ekonomisë në Universitetin e Kolumbias dhe fitues i Çmimit Nobel për ekonomi, na kujton se në SHBA, posaçërisht republikanët mbrojnë doktrinën e neoliberalizmit, që nënkupton favor për derregullim dhe privatizim, edhe aty ku ato nuk janë të dëshirueshme si interes publik. Ajo është vetëm në interes të shtresës më të pasur të shoqërisë amerikane, shpesh me një shpirt të varfër.
Gjatë shekujve, bota ka ndërtuar damarët e qytetërimit: kushtetuta për të kufizuar pushtetin, ligje për barazi, e drejtë ndërkombëtare dhe aleanca për të ruajtur paqen, sisteme juridike për të zgjidhur në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet, mjete të informacionit për të promovuar tolerancën dhe për të krijuar një publik të shëndetshëm, organizata bamirësie për të lehtësuar vuajtjet, biznese për zhvillim, universitete elitare për të ndërtuar një shoqëri të begatë dhe të përparuar, institucione për të trajtuar sëmundjet, etj. Por dikush mund t’i kthejë të gjitha këto përmbys, duke e bërë jetën të pakëndshme, brutale dhe të shkurtër për shumicën e njerëzve, duke e bërë ilaqin më të rrezikshëm sesa sëmundja. Madje i udhëheqin njerëzit përgjatë rrugëve që ka kaluar Sizifi me gurin e tij të madh.
Trampizmi është bërë tashmë emërues për të gjitha këto, ngase qeveria është shndërruar në pushtet në shërbim të vetes dhe shtresës shumë të pasur. Fatkeqësisht, edhe në epokën e robotikës, njerëzit e tanishëm, sikur në Egjiptin e lashtë, vazhdojnë të krijojnë perëndi të rreme të cilave u besojnë më shumë sesa Zotit të vërtetë! Rritja e madhe e tarifave pasuron jashtëzakonisht një grup të vogël njerëzish, në kurriz të varfërimit brutal të një mase të madhe njerëzish. Amerika është shndërruar në një arenë njerëzish të pamëshirshëm dhe shembull i dobësimit të institucioneve që duhet të kufizojnë pushtetin e asaj shtrese të ngopur të shoqërisë. Trampizmi tashmë ka filluar t’i ngjajë mitologjisë së lashtë, kur krijesa të çuditshme shpalleshin për zotëra!
Tani askush në establishmentin amerikan nuk po e vë në mendje faktin që Karta e Kombeve të Bashkuara ndalon çdo kërcënim ose përdorim force kundër shteteve të tjera. Dëgjojmë kërcënime të përditshme për Kanalin e Panamasë, Groenlandën, Kanadanë, Gazën etj. I gjithë sistemi demokratik i pas Luftës së Dytë Botërore është nën kërcënim serioz. Kjo shqetëson sepse njerëzit nuk duan një kthim në ditët e perandorive të vjetra, kur të fortët bënin çfarë të donin dhe të dobëtit vuanin. Por, kjo është si qelqi, të cilin mund ta thyesh, por nuk mund të shkelësh më mbi copat e thyera.
Për momentin, e vetmja shenjë e një kundërlëvizjeje masive janë tubimet e udhëhequra nga Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez, të cilët po e animojnë fuqishëm publikun amerikan me sloganin “Ndaloni Oligarkinë”. Ditën e tarifave që Tramp e quajti “Ditë të Çlirimit”, ata e shpallën “Ditë të Okupimit”. Masat e gjëra i kundërvien Trampizmit, i cili po krijon kaos në të gjithë botën. Tani Trampizmi po përballet edhe me një kundërsulm në gjykatat vendase, të cilat në planin afatgjatë mund të jetë fatal për regjimin idiot global të tarifave.
Një numër i madh partish populiste evropiane dhe nacionalistësh radikalë, të cilët e pritën me eufori ardhjen e Tramp në Shtëpinë e Bardhë, duke shpresuar të vinin lehtësisht në pushtet me krahët e ideologjisë MAGA, tani po përpiqen të minimizojnë dëmin që një mbështetje e tillë publike mund t’u shkaktojë atyre në sytë e votuesve. “Nuk e di çfarë do ai. Ajo që po bën është krejtësisht çmenduri. Kur tha se nuk priste një reagim të tillë nga tregjet financiare, kam frikë se nuk kupton asgjë. Se kjo do të shkaktojë inflacion, një rënie të tregut të aksioneve, ne nuk e kuptojmë çfarë do ai” – tha ish-kryeministri çek Andrej Babis, i cili deri pak javë më parë me krenari e etiketonte veten si një “Trampist” të madh dhe mbante një kapelë bejsbolli të kuqe MAGA me fjalët “Republikë Çeke e Fortë” të shkruara mbi të. Logjika e Dodikut dhe budallenjve të ngjashëm që krenohen me atë për të cilën çdo i mençur turpërohet.
Presidenti Tramp tani ka marrë një vlerësim neto negativ në tetë nga nëntë sondazhe të kryera pas njoftimit të tij gjithëpërfshirës të tarifave më 2 prill – edhe pse shumica e amerikanëve nuk mendojnë se Tramp do të jetë në gjendje t’i përmbahet detyrave të reja. Përqindja e amerikanëve që mendojnë se ekonomia është në rrugën e gabuar u rrit në 54% në sondazhin e fundit nga 43% në sondazhin e 24-26 janarit. Tani miratimi publik për menaxhimin ekonomik të Tramp ka rënë në 38 përqind nga 44 përqind në sondazhin e mëparshëm. Kjo është një rënie e madhe në vetëm tre muaj! Vetëm Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Pauell, të cilin Tramp po përpiqet ta shkarkojë por ligji nuk e lejon. Ai madje po mendon të ndryshojë ligjin!
“The Economist” monitoron rregullisht ndryshimet në vlerësimet e miratimit presidencial dhe vëren se shumica e presidentëve e fillojnë mandatin e tyre me miratim pozitiv, i ndjekur nga një rënie e lehtë. Por të dy mandatet e Tramp filluan me një opinion publik të përzier për të, dhe ai e kaloi pothuajse të gjithë mandatin e tij të parë me një rekord negativ. Mandati i tij i dytë filloi me amnezi dhe hipnozë masive, por me një rikthim të shpejtë në rilindje shpirtërore për shkak të katastrofës së përgjithshme si në nivelin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Tani mbështetja e tij po bie me shpejtësi, veçanërisht pas njoftimit të tarifave në fillim të prillit, të cilat shkaktuan panik të paparë në tregjet financiare.
Rebeli Sanders po udhëheq një turne të quajtur “Lufta kundër Oligarkisë”, me një seri tubimesh politike të shoqëruar nga kolegia e tij, republikanja Alexandria Ocasio-Cortez. Të dy u nisën për një turne të mbushur me njerëz nëpër SHBA, me qëllim që të galvanizonin masat thellësisht të zhgënjyera dhe të plagosura thellë. Në një tubim krejtësisht spontan, ata arritën të mbledhin afro 35,000 njerëz, ndoshta të zhgënjyer nga premtimet gjer në qiell, por me realizime thellë në baltë.
Në realitet, Tramp u rizgjodh në një valë pesimizmi ekonomik, me inflacion, çmime të larta dhe humbje vendesh pune, por në vend që të lëvizte drejt rimëkëmbjes, ai zgjodhi një “infeksion” shtesë. “Tani ka shumë polici, shumë imigracion dhe shumë më tepër frikë nga pasiguria”, thotë Elizabeth Witherspoon, një eksperte financiare. Kjo është arsyeja pse protestat janë rikthyer në të gjithë SHBA-në, ku po shprehet mospajtim me politikat qeveritare, veçanërisht në lidhje me doganat, deportimet, shkurtimet në shërbimet publike, por edhe me veprimet lidhur me Ukrainën dhe Gazën. “Protesta e sotme tregon qartë se njerëzit e Los Angeles janë në një luftë të vazhdueshme kundër Tramp dhe axhendës së tij miliardere që dëshiron të shkatërrojë të gjitha shërbimet tona sociale” – tha një nga organizatorët e protestave në Los Angeles.
Administrata Tramp ka bllokuar fonde për ndryshimet klimatike me vlerë 369 miliardë dollarë për dhjetë vitet e ardhshme. Kjo do të ketë pasoja të mëdha. Nga ana tjetër, paditë e fermerëve të ngritura në Gjykatën Federale dhe padi të shumta administrative tregojnë se Tramp po humb seriozisht mbështetjen edhe ashtu në ramje. Ndërsa Amerika përballet me një valë rebelimi qytetar, ku turma bërtiste unanimisht “Jo” dhe “Duart larg”, në Partinë Republikane mbretëron një konfuzion i madh. Ato qindra tubime janë një energji e rrezikshme jo vetëm kundër Trampizmit, por edhe kundër Partisë Republikane, gjë që mund të ndikojë seriozisht në zgjedhjet e ardhshme për Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin (2026).
Përveç politikave ekonomike, sociale dhe financiare, njerëzit në SHBA janë gjithashtu shumë të pakënaqur me politikat antidemokratike të Tramp. “Kjo është patetike”, tha një nga udhëheqësit e protestës! “Mendoj se duhet të ketë një rigjallërim serioz në Partinë Republikane. Është absurde që të pasurit e fuqishëm të mendojnë se si shteti ashtu edhe njerëzit në të janë pronë e tyre private.”
E ku është “MAGA” Maqedonia?!
Udhëheqja e Maqedonisë u mburr përulshëm me “afërsinë” e saj të supozuar me Trampin, edhe pse nëse do të mblidheshin të gjithë militantët e MAGA-s, asnjëri prej tyre nuk do e gjente Maqedoninë në hartë. Menjëherë pas lëvdatave, Tramp, si shpërblim, vendosi norma doganore jashtëzakonisht të larta për Maqedoninë, plot 33 përqind! Pra, paskemi një fitore të iluzionit mbi inteligjencën! Pavarësisht nëse i pëlqen apo jo Trampit, vet ai do të duhet t’i afrohet përsëri BE-së, përfshirë edhe çështjen e Ukrainës, të cilën Tramp “do ta kishte zgjidhur brenda 24 orësh, apo jo?” Për më tepër, ndarja e Rusisë dhe Kinës është më e vështirë sesa ndarja e binjakëve siamezë.
Nuk na duhen tregime fëmijësh për vezë të thyera për një “omëletë” për ata që kërkojnë një fije floku në vezë, por “topa” për një sistem dhe zhvillim. Ndërkohë që ne po merremi me varreza historike dhe po udhëtojmë me trena të prishur me 50 km në orë, bota ka arritur në 350, madje 600 km në orë. Kurse ishin pas nesh! Ekspertët e zhvillimit thonë se vendi ynë mund të arrijë një bum zhvillimi nëse përqendrohet në tre fusha në partneritetin publik-privat: 1)bujqësi dhe blegtori moderne; 2)turizëm rural dhe malor; 3)turizëm spa. Kemi një numër të madh fshatrash të boshatisura që, me pak investime dhe organizim të mirë, mund të shndërrohen në turizëm të shkëlqyer gjatë gjithë vitit. Austria, me “banjën e saj ajrore”, ka pothuajse të njëjtin fitim nga turizmi si Italia, e cila është e rrethuar nga deti. E gjithë kjo do shoqërohej me reklama të forta, me transport të organizuar të lirë, fluturime çarter etj. Në këtë mënyrë, fitimet do të qëndronin në vend, ndryshe nga investimet e huaja.Gjer tani ne krijuam ferrin, dhe në ferr djalli është një personazh pozitiv.
Tajvani është sa madhësia e Maqedonisë për sa i përket territorit dhe mbështet 25 milionë njerëz me një standard jetese pesë herë më të lartë se i yni! Njëjt edhe Izraeli, edhe pse 60 përqind është shkretëtirë! Pra, diçka mungon seriozisht këtu. Duhet të pyesim veten se çfarë po na ndodh në të vërtetë me ne! Sidomos kur na tejkaluan vendet fqinje që ishin 30 vjet pas nesh (Bullgaria, Rumania, Shqipëria). Mali i Zi shkoi shumë më tej, duke u bërë shtet në vitin 2006, dhe Kosova në vitin 2008! Jemi bërë një shoqëri ku disa mezi mbijetojnë me dhjetë gishtat e tyre, ndërsa të tjerë gëzojnë një jetë parajsore me dy gishtat e tyre. Madje vazhdojmë të jemi krenarë për një vend për të cilin çdo njeri normal do të turpërohej. Të paktën ne jemi dëshmi se nuk ka kush në planet që mund të kryejë aq shumë krime sa ne dimë të falim!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre