Lulzim Haziri: Gostivari qytet pa kumbarë

Poezi nga Lulzim Haziri

Gjithçka filloi të mbahet mend
Kur ta sajuan emrin
Pa ditur i pari kush ta tha
Secili nga një legjendë ta la

Me buzëqëshje krejtve u jep të drejtë
Pa qenë për njërin nënë e tjetrin njerkë.

 

U shtrive aq sa malet të lanë
Njëri i Lartë, tjetri i Thatë
Njëri i blertë, tjetri i sertë
Por kur vjen dimri, të dy bëhen një
Me kësula të bardha në kokë.

Mbi këtë fushë të blertë pikëllimi
E mbetur djerr, jo për ujë po për krah
Vardari për mjedisi të rrjedh vërdallë
I vizatuar si me një dorë fëmiju n’janar
Ujë që më parë mbush vrima urithi
Se rrënjë groshe, drithi apo misri
Që mbi ty rriten pa i prek dielli.

 

E njohe botën para se me të njohë
Sot kot kërkon hartave emrin që e ke një
Ata që të deshën, që lanë emër e nam
Nuk i gjenë në emra rrugësh, askush nuk i pa
Do të ishin harruar por t’mos ishte era
Sa herë që fryen si polen ua sjell
Për të mbi mbi kopshtin e ndërgjegjes.

 

Ti emrin e ke mikëpritje
Pret e përcjell në heshtje
Miq, ushtri, barbarë, shkrimtarë
Luftëtarë, kronikan, vallëzuese apo tuxhar
Të gjithëve u bën vend në han

Që thonë se e ngriti një gocë nga Tivari
Aq mirë i gostit, sa më këmbët s’ua lan
Ua qet atë që s’e ke, atë që e hanë
Dhe largohesh qetë, strukesh në një skaj
…krenar e i shkathët si emrin që e mba!