RMV-ja ka potencial shumë të madh për ndërtimin e centraleve diellore dhe me erë në tokë të degraduar

Në Maqedoninë e Veriut mund të ndërtohen centrale diellore me një fuqi prej rreth 10.000 megavat dhe centrale me erë me fuqi nga 2.000 deri në 4.000 megavat. Ato do të vendoseshin jashtë zonave të mbrojtura dhe tokës pjellore bujqësore, në shkëmbinj dhe gurë, në tokë me shkurre dhe bar, si dhe në tokë minierore të degraduar, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Metodologjia për lokacionet më të favorshme për ndërtimin e centraleve diellore dhe atyre me erë e punuar nga ASHAM bashkë me Eko Svest dhe The Nature Conservancy përmban dy harta për termocentralet diellore dhe ato me erë, në të cilat janë analizuar një numër i madh lokacionesh të cilat, nga njëra anë, do të ishin më të mirat për investitorët e ardhshëm që do të donin të investonin në burime të rinovueshme të energjisë dhe që, nga ana tjetër, do të siguronin mbrojtjen e duhur të natyrës, biodiversitetit dhe burimeve të ushqimit.

Aleksandar Dedinec nga Qendra Hulumtuese për Energjetikë dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në ASHAM thotë se vendi jonë konsumon 7.000 deri në 8.000 gigavat orë energji, ndërsa potenciali prej 10.000 megavatësh vetëm nga centralet diellore mund të prodhojë rreth 14.000 deri në 15.000 gigavat orë, që do të thotë se kemi kapacitet dhe potencial të mjaftueshëm për ndërtimin e centraleve diellore dhe me erës.

“Kur të përgatiten dokumente strategjike energjetike në të ardhmen, do të kemi të dhëna se ku do duhet të ndërtohen këto lloj objektesh. Në analizë janë shqyrtuar edhe të gjitha objektet minierore të amortizuara dhe vetëm në pesë miniera në vend mund të ndërtohen centrale diellore me fuqi rreth 800 megavat, përfshirë këtu edhe Suvodollin dhe Brod-Gneotino”, thotë Dedinec.

Ai thekson se planifikimi i zgjuar energjetik duhet t’i përfshijë të gjithë aktorët dhe se nevoja për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë është e padiskutueshme, por jo me çdo kusht dhe jo në çdo lokacion. Procesi për përcaktimin e lokacioneve më të favorshme në vend ku mund të ndërtohen centrale diellore dhe me erë është filluar bashkë me “Eko Svest” dhe The Nature Conservancy, ndërsa disa nga kushtet janë që të mos ndërtohet në tokë bujqësore dhe në zona të mbrojtura si parqet nacionale ose në territore të rëndësishme për zogjtë ose bimët, ose ku tashmë ekzistojnë centrale të tilla, atje ku ka rrugë dhe rrjet distributiv.

“Ura e Boshkut dhe Fusha e Llukovës janë projekte të planifikuara në Strategjinë paraprake, por nuk janë realizuar sepse nuk janë konsultuar dhe pajtuar të gjithë palët e interesuara. Kjo gjë na kushtoi humbjen e dhjetë viteve të prodhimit potencial vendor. Kjo nuk duhet të ndodhë me planifikimin e burimeve të rinovueshme të energjisë”, thekson Dedinec.

Igor Vejnoviq nga The Nature Conservancy thotë se planifikimi i zgjuar i energjisë me të cilin do të evitohet konfliktin mes tranzicionit energjetik dhe mbrojtjes së biodiversitetit është një qasje e pranuar në të gjithë botën, por që aplikohet edhe në rajon, ku potenciali i diellit dhe i erës është i madh, por dhe ku pasuria e diversitetit biologjik është e jashtëzakonshme.

Vejnoviq thekson se procesi duhet të ketë edhe një qasje rajonale, sepse rrjetet distributive të vendeve janë të lidhura, të gjitha kanë burime të ndryshme që mund t’i përdorin, ndërsa natyra nuk ka kufij.

„Tranzicioni energjetik është i pashmangshëm, ndërsa pas dy vitesh të gjitha vendet e BE-së do duhet t’i kenë definuar këto zona pa konflikt. Maqedonia e Veriut është një nga vendet e para që ka filluar me këtë proces, pikërisht për shkak të potencialit dhe burimeve që janë në dispozicion. Ne fokusohemi në lokacione që janë toka brownfield që tashmë është e degraduar. Është me shumë rëndësi që tranzicioni të kalojë në nivel lokal dhe në këtë proces të marrin pjesë komunat të cilat duhet të planifikojnë se si duhet të zhvillohet toka në territorin e tyre“, thotë Vejnoviq.

Disklejmeri për Smart Balkans, disclaimer