Fronti i dytë hibrid

Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës nuk janë lajme të mira. Beteja e dytë hibride ka nisur në veri të Kosovës dhe nuk dihet se ku do të përfundojë. Incidentet në veri të Kosovës dhe roli serbo-rus në Ballkanin Perëndimor, tregon për nevojën urgjente të ndërrimit të politikës së Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor.

Njëkohësisht, për këtë ambient të ri të sigurisë, nevojitet një rishikim të strategjisë së Perëndimit ndaj shteteve të rajonit. Për disa në veçanti është e nevojshme që të ndërtohen politika të reja për të përmirësuar marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për tu mbrojtur paralelisht nga sulmet hibride që vinë nga jashtë.

Në Ballkanin Perëndimor, Rusia dhe aktorët rajonal si Serbia qysh herët në konfliktet e ngrira në veri të Kosovës dhe në Bosnjë pa harruar Malin e Zi, kanë shfrytëzuar metodat hibride të luftës për të nxitur trazira etno-fetare dhe përpjekje për të përmbysur qeveritë demokratike.

Në sulmin e parë ruso-serb ishte përfshirë Maqedonia e V. (2017) dhe Mali i Zi (2016), ku shërbimet ruse-serbe tentuan një grushtshtet për të penguar ndryshimet politike në Shkup dhe në Podgoricë me qëllim për të shkaktuar trazira para anëtarësimit në NATO. Më vonë gjendja e luftës hibride ndryshoi dukshëm pas sulmit rus në Ukrainë në 2022, ku Ballkani përsëri vazhdon të jetë pjesë e teatrit të përgjithshëm ruso-serbo me taktika të reja për të ushqyer me informacione të rrejshme opinionin për luftën në Ukrainë dhe vëllazërinë ballkanase që nuk duhet të respektojnë asnjë standard demokratik.

Megjithatë, strategjia afatgjate e luftës hibride ruso-serbe në këtë fazë qëndron në kalimin prej një taktike në tjetër metodë, duke përdorur operacionet klandestine dhe forcat radikale për t’i arritur objektivat politike dhe ushtarake. Ngjarjet në veri të Kosovës, prania e grupeve ekstremiste dhe njoftimet për ndihmë po ashtu nga rusët radikalë, e vërteton ngritjen dhe zhvillimin e frontit të dytë hibrid në Ballkan nga forcat ruso-serbe.

Në planin rajonal kështu duket beteja që ka nisur në Ballkanin Perëndimor e që mund të shtrihet në Podgoricë dhe në Bosnjë. Në veri të Kosovës, plani është demonstruar nga prania e paraushtarakëve serbë, përdorimit të armëve ilegale dhe pranisë së ekstremistëve rusë në kufi me Kosovën. Fronti i dytë hibrid është më i drejtpërdrejtë, sepse synon të arrijë rezultate politike me kombinim të metodave jo lineare. Ish-oficeri i marinës amerikane, Frank Hoffman, kohë më parë kishte parashikuar se lufta speciale hibride do të bëhet më e rrezikshme në këtë dekadë të shek. 21-të.

Pasi dinamikat e brendshme politike kanë ndryshuar në Kosovë dhe në Bosnjë, është në interesin strategjik amerikan që të bëjë një ri-freskim të strategjisë në Ballkan dhe përfundimisht të kthehen në fushën e kontrollimit të dezinformimit që buron nga Rusia dhe Serbia. Ky rikthim amerikan në frontin e dytë hibrid, duhet të përmbyllë ciklin defanziv euro-amerikan në Ballkanin Perëndimor.

Këtë SHBA dhe BE mund ta bëjnë në dy mënyra: E para, duke bërë balancimin e nevojave strategjike ndaj shteteve të rajonit dhe e dyta, rishikimi i ndihmës ekonomike bashkë me vendosjen e një ‘muri’ anti- rus që nëse Serbia nuk do të përafrohet me Perëndimin, atëherë mbetet që vija ndarëse të kalojë po aty ku NATO duhet t’i mbrojë shtetet nga destabiliteti ruso-serb.

Pasi nuk e dimë se nga do të shkojë Serbia, mbetet ende e pasigurtë kohëzgjatja e frontit të dytë hibrid dhe kur forcat radikale nga jashtë dhe ato paraushtarake vendore do të humbin fuqinë. Rasti qëndron përsëri në riorganizimin e politikës së jashtme të SHBA -së për Ballkanin dhe të BE-së, bashkë me forcat demokratike rajonale të vendosin se kush do të jetë fituesi në fushën e luftës informative dhe të veprimeve klandestine në Ballkanin Perëndimor e që njëherit është tipari kryesorë i frontit të dytë në rajon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.