LSDM: Kush po e paguan lobimin për Mickoskin në SHBA?
LSDM-ja sot sërish e hapi çështjen e lobimit në SHBA-së lidhur me kryeministrin Hristijan Mickoski, këtë herë duke paraqitur pretendime shtesë për pronarin e kompanisë së Shkupit ATS Group, e cila, sipas partisë, ka angazhuar kompaninë amerikane të lobimit Mercury Public Affairs, transmeton Portalb.mk.
Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, në një konferencë për shtyp pyeti se kush dhe me çfarë interesi e financon lobimin lidhur me Mickoskin dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. LSDM-ja më herët kishte bërë të ditur se ATS Group paguan 130 mijë dollarë në muaj, përkatësisht 390 mijë dollarë në tremujor paraprakisht, për shërbimet e Mercury Public Affairs. Sipas partisë, kjo do të arrinte në rreth 1,56 milionë dollarë në vit.
Kuzeska pretendon se në regjistrin amerikan FARA ekziston dokumentacion për angazhimin dhe se kompania e lobimit më 2 prill 2026 ka dorëzuar një material me titull “Partneritet strategjik SHBA – Maqedonia e Veriut”. Sipas interpretimit të saj, dokumenti përfshin tema me interes më të gjerë shtetëror – tregtinë, gazin amerikan, investimet në IT, energjetikën dhe bashkëpunimin në mbrojtje.
Në deklaratën e sotme, Kuzeska bëri edhe pretendime serioze për pronarin e ATS Group, Shefshet Demirovskin, duke e lidhur atë me një rast të mëparshëm gjyqësor në SHBA dhe me një person që, sipas saj, ishte i lidhur me një hetim për trafik ndërkombëtar të kokainës.
LSDM-ja e lidh çështjen e lobimit edhe me vizitën e fundit të Mickoskit në SHBA, si dhe me temën e shfrytëzimit të antimonit në Maqedoninë e Veriut. Partia kërkon që të publikohet dokumentacioni i plotë për angazhimin e kompanisë së lobimit, kontaktet që Mercury ka realizuar në emër të klientit dhe informacionet për financimin e delegacionit qeveritar në SHBA.