LSDM: Dokumentet konfirmojnë një skandal të madh në Kumanovë – Dimitrievski dhe Mitevski, me mbështetjen e BDI-së, fituan 350,000 euro

Sot po publikojmë dokumentet rreth skandalit më të madh të korrupsionit në komunën e Kumanovës, të organizuar nga Maksim Dimitrievski dhe kumbari dhe partneri i tij në biznes Dragan Mitevski. Kështu e filloi Aleksandar Jovanovski, këshilltar në Këshillin e Komunës së Kumanovës, konferencën e sotme për shtyp, në të cilën, ashtu si dje, u bënë një sërë akuzash në lidhje me kryetarin aktual të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, transmeton Portalb.mk.

Dje, këshilltarët e LSDM-së në Komunën e Kumanovës akuzuan për “skandalin më të madh të korrupsionit urban në dekadat e fundit”.

Sot, duke mbajtur një dokument, Jovanovski tha se bëhet fjalë për një prokurë me të cilën kumbari i Dimitrievskit, Dragan Mitevski, i jep “Lidl” autoritetin për të vepruar për të ndryshuar Planin e Detajuar Urban.

“Me fjalë të tjera, ‘Lidl’ në emër të Dragan Mitevskit ka të drejtë të fillojë një procedurë për ndryshimin e PDU-së në komunën e Kumanovës”, tha Jovanovski.

Siç theksoi ai, Mitevski bleu tokë nga Dimitrievski dhe familja e tij brenda natës për 250,000 euro, dhe disa ditë më vonë ia shiti Lidl për 600,000 euro, duke fituar 350,000 euro pa asnjë investim.

Pastaj, shtoi Jovanovski, ai autorizoi blerësit të kryenin një procedurë për ndryshimin e PDU-së me kumbarin e tij Dimitrievski.

“A ka ndonjë konflikt interesi dhe korrupsion më të dukshëm?”, pyeti Jovanovski.

Sipas tij, për ta bërë skandalin më të madh, gjatë votimit të parë të Këshillit komunal për ndryshimin e PDU-së, i cili më vonë u anulua, vëllai i Dragan Mitevskit, Darko Mitevski, i cili është koordinatori i grupit këshillues të ZNAM, gjithashtu votoi për të dhe ndryshimin.

“Nuk dihet se kush është më i bllokuar në konflikt interesi në këtë rast, nuk mund të arrihet fundi,” tha këshilltari.

Pasi dështoi votimi i parë, Dimitrievski, siç tha këshilltari, arriti një marrëveshje me këshilltarët e BDI-së, të cilët votuan pro planit për votimin e dytë.

Ai tha se ende nuk dihet se çfarë u është premtuar këshilltarëve të BDI-së dhe shtoi se po i japin Dimitrievskit edhe një ditë, dhe pastaj do ta publikojnë edhe marrëceshjen e tij për këtë çështje.

Përveç kësaj, Jovanovski sot pyeti nëse ekziston një marrëveshje tjetër midis kumbarit të Dimitrievskit dhe “Lidl”, sipas së cilës Mitevski është i detyruar të sigurojë një amendament të PDU-së brenda dy viteve. Jovanovski tha se megjithëse Mitevski ka mbledhur të gjitha 600,000 eurot, ai mund të përdorë vetëm 180,000 euro, dhe 420,000 eurot e mbetura do të jenë në dispozicion për t’u përdorur pas zbatimit të marrëveshjes.

Informacioni i partisë, siç tha Jovanovski, është se ekziston një marrëveshje e tillë dhe kërkoi veprime të menjëhershme dhe pa vonesë nga institucionet e ndjekjes penale, Prokuroria Publike dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

“Duhet të ngrihet urgjentisht lëndë për këtë rast korrupsioni nga Maksim Dimitrievski,” tha Jovanovski.

Dje, kur filluan të publikojnë këtë rast, grupi i këshilltarëve të LSDM-së kërkoi që Prokuroria të ngrejë kallëzime penale për shpërdorim të detyrës zyrtare, tregtim të ndikimit dhe korrupsion të mundshëm, që Enti Shtetërore i Revizionit të kryejë një auditim të të gjithë procedurës për ndryshimin e PDU-së dhe që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të ndërmarrë veprime urgjente.

Lëvizja ZNAM dje në përgjigje të akuzave nga këshilltarët e LSDM-së nga Këshilli i Komuns së Kumanovës, tha se partia është në panik dhe po shpërqendrohet nga aferat e tyre të korrupsionit. Partia i tha LSDM-së se e dijnë se janë të ndryshëm nga ata dhe se e kanë provuar këtë shumë herë më parë.

Ndryshe, në seancën e fundit të Këshillit komunal të Kumanovës është votuar  propozim-ndryshimi dhe plotësimi i Planit të Detajuar Urban (PDU) ku do të ndërtohet supermarketi “Lidl”. Përveç këshilltarëve të shumicës nga VMRO-DPMNE, ZNAM dhe partitë më të vogla të koalicionit nga blloku shqiptar, BDI, e cila është opozitë në Këshill, gjithashtu votoi për amendamentin e PDU, ndërsa vetëm LSDM dhe Levica ishin kundër.

Këshilltarët e opozitës alarmuan se përfshirja personale dhe e familjarëve të kryekomunarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievskit jep hapësirë ​​për dyshime se ky është një proces korruptiv, abuzim me pozicionin zyrtar dhe abuzim me ndikimin.