Gruevski mori aktgjykim lirues për ndërtimin e “Pallatit të Bardhë”, VMRO një hap larg rikthimit të selisë së konfiskuar

Gjykatësja Daniela Aleksovska-Stojanovska ka shpallur aktgjykim lirues në rigjykimin për lëndën “Talir 2”, që ka të bëjë me ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së. Fillimisht, LSDM-ja i shpëtoi pjesërisht ish-kryeministrin dhe ish-liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe Kiril Bozhinovskin, të cilët fillimisht ishin dënuar me gjashtë vite burg dhe me dënim me kusht, përmes ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat e liruan plotësisht Bozhinovskin nga përgjegjësia penale, transmeton Portalb.mk.

Procesi gjyqësor vazhdoi vetëm me Nikolla Gruevskin, i cili që nga viti 2018 ndodhet në arrati në Budapest të Hungarisë. Gjykatësja deklaroi se ato ndryshime, që në dukje ishin të vogla, në fakt kanë ndikuar shumë në elementet e veprës penale.

Sipas saj, prokuroria nuk ka bërë përpjekje as gjatë rigjykimit dhe as në fjalën përfundimtare që ta ndryshojë aktakuzën në përputhje me ndryshimet në Kodin Penal. Përkundrazi, si prokurorja Lençe Ristoska, ashtu edhe pasardhësi i saj Kristian Smilevski, kanë mbetur te të njëjtat fakte dhe prova me të cilat fillimisht ishin dënuar Gruevski dhe Bozhinovski.

Gjykata ka vlerësuar se me ato prova të pandryshuara, prokuroria nuk ka arritur ta dëshmojë akuzën.

Procesi gjyqësor për këtë rast kompleks nisi në vitin 2019, ndërsa vepra penale parashikohet të vjetrohet muajin e ardhshëm.

Fillimisht, Nikolla Gruevski dhe Kiril Bozhinovski u akuzuan për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare. Në vitin 2022, gjykatësja i shpalli fajtorë, duke i dënuar Gruevskin me gjashtë vite burg, ndërsa Bozhinovskin me dënim me kusht.

Ishte konfiskuar edhe objekti afarist “Pallati i Bardhë”, i cili sipas aktakuzës ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu ishte konfiskuar edhe pasuria e përfituar nga kontrata e paligjshme me kompaninë “Beton” të Minço Jordanovit, e cila, sipas aktakuzës, nuk kishte të drejtë ta ndërtonte objektin pasi kishte marrë tenderë nga shteti i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, përkatësisht nga Gruevski si kryeministër.

Në fakt, “Beton” kishte nisur ndërtimin e një hoteli, të cilin nuk e përfundoi kurrë, në parcelën e VMRO-DPMNE-së në rrugën “Maqedonia” në qendër të Shkupit. Në këmbim, kompania, partisë në pushtet i ndërtoi pa pagesë selinë – një ndërtesë tetëkatëshe pranë hotelit, që konsiderohej si donacion i palejuar nga një kompani përfituese e tenderëve milionësh nga shteti drejt partisë në pushtet që i jepte ato tenderë.

Gjykata e Apelit në vitin 2023 e anuloi aktgjykimin dhe e ktheu lëndën për rigjykim.

Ndërkohë, u miratuan ndryshimet e kontestuara në Kodin Penal, përmes të cilave u lirua edhe Kiril Bozhinovski. Vepra e tij u vjetërsua menjëherë pas këtyre ndryshimeve, ndërsa në proces mbetën vetëm Gruevski dhe VMRO-DPMNE si palë e përfshirë.

Për këtë gjykatëse, VMRO-DPMNE kishte mbajtur konferenca të përditshme për media me akuza dhe fyerje të rënda ndaj saj. Lëndën “Talir 2” deri para disa muajsh e udhëhiqte prokurorja Lençe Ristoska, së cilës iu hoq edhe kjo lëndë, njësoj si “Talir 1”, i cili prej vitesh po zvarritet në Gjykatën Penale. Pas kësaj, ajo dha dorëheqje nga posti i prokurores.

Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.

Me kalimin e viteve dhe pas ndryshimeve në Kodin Penal, u vjetërsuan lëndët TNT, për prishjen e kompleksit “Kosmos” dhe “Trajektorja”, për komisionet për ndërtimin e autostradave. Ndryshimet e shpëtuan edhe Gruevskin nga akuza për rastin “Shkupi 2014”, “Feniks”.

Ish-kryeministri mbetet i akuzuar për çështjet “Talir 1” dhe Talir 2”, mbi të cilat varet edhe paqartësia se si do të përfundojnë, si dhe në rastin “Titanik”, ku akuzohet për shpërdorim fondesh për financimin e fushatës zgjedhore dhe cenimin e të drejtës së votës.

Për shkak se ai ishte i padisponueshëm, atij iu pezullua edhe hetimi për ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend të datës 27 prill 2017.

Të gjitha lajmet lidhur me këto raste i gjeni KËTU.