Përparim Bajrami dhe Bashkim Avdiu u deklaruan të pafajshëm në seancën e sotme për rastin “Lotaria” (VIDEO)

Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot, për herë të parë në seancë, u paraqit ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili është i akuzuari i parë në rastin “Lotaria Shtetërore”. Bajrami, i cili pas gati dy vitesh në arrati është kthyer në vend, u deklarua se nuk ndihet fajtor për veprën për të cilën akuzohet. Në të njëjtën seancë, i pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari i tetë, Bashkim Avdiu, i cili në seancën e kaluar kërkoi që aktakuza t’i përkthehej në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.

Me deklarimin e Bajramit dhe Avdiut, të gjithë të akuzuarit në këtë rast tashmë janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprën që akuzohen.

Përfaqësuesi i Lotarisë Shtetërore, e cila në këtë rast ka statusin e palës së dëmtuar, deklaroi se ndërmarrja ka kërkesa ndaj të akuzuarve. Nga Lotaria thanë se më vonë do të vendosin nëse këto kërkesa do t’i realizojnë në procedurën penale apo përmes një procedure të veçantë civile.

Në seancë, mbrojtja e të akuzuarve paralajmëroi edhe prova dhe dëshmitarë. Avokati i Artan Grubit tha se do të plotësojnë listën e provave me vendime të Qeverisë, ndërsa mbrojtja e Bojan Janevit paralajmëroi se do të kërkojë të dëgjohet si dëshmitar drejtori aktual i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski.

Seanca e radhës për rastin “Lotaria Shtetërore” është caktuar për më 23 shtator.

Përveç Bajramit, në këtë rast akuzohen edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë ish-anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të ndërmarrjes – Skender Mehmet, Bojan Janev, Fatmir Ramadanski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.

Për më tepër, nga Prokuroria Themelore Publike Shkup më 9 shtator njoftuan se kundër Bajramit janë duke u zhvilluar edhe katër procedura të tjera për të njëjtën vepër, në të cilat po mblidhen prova dhe po kryhen ekspertiza.

Të gjithë të akuzuarit gjykohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit, lidhur me prokurimin e paligjshëm të terminaleve videolotarie për organizimin e lojërave elektronike të fatit.

Përparim Bajrami
Përparim Bajrami në pranga. Foto nga Portalb.mk.

Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.

Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.

“Sa i përket arsyes se përse është ndryshuar kualifikimi – ai është ndryshuar sepse konsideruam se nuk kemi siguruar prova me të cilat do të arrinim ta dëshmonim veprën penale të përvetësimit në shërbim”, tha në një deklaratë për mediat prokurori Daniel Kocev, pas përfundimit të seancës më 7 shtator.

Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.

Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.