“Lotaria Shtetërore”: Bordi nuk diskutoi veçmas blerjen e terminaleve VLT, Grubi do të propozojë ish ministrat si dëshmitarë
Në Gjykatën Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku dëshmoi ish anëtari i Bordit Drejtues të kësaj kompanie, Hristo Najdanov. Gjatë dëshmisë, ai tha se nuk i kujtohej që bordi ta kishte diskutuar veçmas nevojën për blerjen e terminaleve VLT. Ndërkaq, para seancës, ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, njëri nga të akuzuarit në këtë rast, konfirmoi se do të propozojë ish ministrat e Qeverisë së kaluar si dëshmitarë, shkruan Portalb.mk.
Najdanov ishte anëtar i Bordit Drejtues nga viti 2017 deri në vitin 2024. Ai tregoi se nga viti 2021 materialet për mbledhjet nisën t’u dërgoheshin anetarëve edhe në mënyrë elektronike. Në disa raste, dokumentet u dërgoheshin në mëngjes, ndërsa përgjigjet kërkoheshin deri pasdite, pa u lënë kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar.
Sa i përket prokurimit të terminaleve VLT, Najdanov tha se ishin përgatitur ekpsertiza dhe elaborate për të vlerësuar nëse ia vlente krijimi i një kompanie të re për organizimin e videolotarisë dhe lojërave elektronike të fatit. Megjithatë, ai tha se nuk i kujtohej që bordi ta kishte diskutuar veçmas blerjen e terminaleve.
Najdanov ishte emëruar në bord nga Qeveria, me propozim të partisë DOM. Gjatë kësaj periudhe, Lotarinë Shtetërore fillimisht e drejtoi Katica Nikolovska Parnakova, ndërsa më vonë në këtë pozitë u emërua Përparim Bajrami.
Para seancës, ish zëvendëskryeministri Artan Grubi konfirmoi informacionet e publikuara se do t’i ftojë për të dëshmuar ministrat e qeverisë së kaluar.
Grubi deklaroi shkurt se do të ftojë jo vetëm ministrat për të cilët ishte raportuar por edhe të tjerët.
“Po. Jo vetëm ata, por edhe të tjerët”, deklaroi Grubi.
Ndërkaq, Prokuroria Publike po heton arsyet e ndryshimit të dëshmisë së një dëshmitari në rastin “Lotaria Shtetërore”, por deri më tani nuk ka prova se ai është ndikuar nga dikush. Prokurori Daniel Kocev bëri të ditur se dëshmitari më parë ishte marrë në pyetje si i dyshuar në një procedurë parahetimore, të nisur pas një kallëzimi penal të MPB-së, i cili përfshin edhe prokurimin e terminaleve VLT. Procedura parahetimore ndaj tij vazhdon.
Kujtojmë se, përveç ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.
Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.
Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.